
Në fillim shpërthimi, më pas flakët dhe vdekja… 33 persona janë vrarë nga Rusia në Ukrainë që lëshoi bomba rrëshqitëse ndaj dy autobusëve plot me civilë në qytetin Kramatorsk në frontin e luftës.
Bilanci raportohet nga ekipet e shpëtimit që shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa 18 persona të tjerë janë plagosur. Shefi rajonal i Donjeckut akuzon Rusinë se ka shënjestruar me qëllim autobusët për të vrarë sa më shumë civilë. Imazhet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë makabritetin e një lufte që ka humbur kufijtë moralë, ndërsa shfaqen autobusët duke u djegur dhe viktimat në rrugë, shkruan A2.
“Ky sulm nuk do të kalojë pa kundërpërgjigje. Rusia po përpiqet të shkatërrojë të gjithë jetën në rajonin e Donbasit dhe bota duhet të reagojë për këtë. Duhet kundërpërgjigje vendimtare, në mënyrën që Rusia meriton për të gjitha vdekjet që ka shkaktuar”, u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.
Kramatorsku, një qytet fqinj me Slovianskun, janë pjesë e të ashtëquajturit brez i fortesës që Rusia po përpiqet të pushtojë si pjesë e pretendimit të Vladimir Putinit për të gjithë rajonin industrial të Ukrainës në Donbas. Moska ka bombarduar edhe Kievin, ku raportohen të paktën 3 viktima dhe 13 të plagosur. Një ditë më parë në mbarë Ukrainën u shënuan orë ferri.
Por, lufta ka prekur edhe vendin që e nisi atë. Dronët ukrainas kanë goditur një qendër të dhënash në pronësi të gjigantit rus të teknologjisë Yandex. Ky është sulmi i parë i raportuar i këtij lloji. Një zjarr shpërtheu menjëherë në atë zonë. Yandex, i njohur me nofkën “Google i Rusisë”, është motori kryesor i kërkimit në gjuhën ruse dhe përdoret gjerësisht në Federatë për shërbime të tilla si taksitë dhe dërgesat. Ai gjithashtu dominon hapësirën në gjuhën ruse. (A2 Televizion)