Trump-Putin, raundi dy. Kremlini konfirmon se një samit midis presidentëve mund të zhvillohet brenda dy javësh, ose pak më vonë. Megjithatë, sqaron se ka shumë për t'u zgjidhur përpara se të caktohej një datë për ballafaqimin e radhës mes liderit rus me atë amerikan.
Trump dhe Putin ranë dakord të enjten për të mbajtur një samit të dytë mbi luftën në Ukrainë, përkohësisht në Budapest, pas një takimi të 15 gushtit në Alaskë që dështoi të prodhonte diçka konkrete.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të duhet të telefonojnë njëri-tjetrin dhe të caktojnë një takim për të zgjidhur shumë çështje para samitit.
Peskov shtoi se Rusia mbetet e hapur për një zgjidhje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë në mënyrë paqësore. Përpara se të shkohet tek shtrëngimi i duarve, palët duhet të adresojnë dhe çështjen e urdhërarrestit të lëshuar për kokën e Vladimir Putin.
Gjykata Ndërkombëtare Penale kërkon nga Hungaria që ta zbatojë vendimin, por Budapesti garanton se nuk do të ketë pranga për shefin e Kremlinit, por vetëm tapet të kuq.
“Ne e presim Presidentin Vladimir Putin me respekt. Natyrisht, ne do të sigurohemi që ai të hyjë në Hungari, të ketë negociata të suksesshme këtu dhe pastaj të kthehet në shtëpi. Nuk ka nevojë për asnjë lloj konsultimi me askënd. Ne jemi një vend sovran këtu”, tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.
Presidenti rus, Putin dhe kryeministri hungarez Viktor Orban biseduan në telefon për të diskutuar samitin e ardhshëm. Kremlini njofton se “Orban i dha Putinit garanci për samitin”.
Bashkimi Europian nuk vendos vija të kuqe lidhur me këtë çështje. Putin është në listën e sanksioneve, por nuk ka urdhër ndalimi për udhëtime, thekson një zëdhënëse e Komisionit Europian. Ajo shton se për urdhërarrestin e Gjykatës së OKB-së vendosin vetë shtetet anëtare të BE-së në mënyrë individuale. (A2 Televizion)