Mbreti Charles III do të bëhet monarku i parë britanik në 500 vjet që lutet publikisht me një Papë, gjatë një vizite historike në Vatikan javën e ardhshme. 76-vjeçari do të marrë pjesë në një shërbesë ekumenike në Kapelën Sistine së bashku me Papën Leoni XIV, në kuadër të “Vitit Jubilar 2025” të Kishës Katolike.
Sipas Pallatit Buckingham, ky është momenti i parë që nga Reforma e Henrit VIII në shekullin XVI që një sovran britanik (njëkohësisht Kreu i Kishës Anglikane) merr pjesë në një shërbesë të përbashkët me udhëheqësin e Kishës Katolike, shkruan A2 CNN.
Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij shumëvjeçare për harmoninë ndërfetare, Papa Leoni do ta shpallë Mbretin Charles “Vëlla Nderi” të Bazilikës dhe Abacisë Papale të Shën Palit Jashtë Mureve. Për këtë rast, është përgatitur edhe një karrige e veçantë e dekoruar me stemën mbretërore, e cila do të mbetet aty përgjithmonë si simbol miqësie midis dy institucioneve fetare.
Vizita dyditore e Mbretit dhe Mbretëreshës Camilla, e cila do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten, ka rëndësi të madhe simbolike për marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe asaj Anglikane. Gjatë qëndrimit, çifti mbretëror do të takohet me Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik, si dhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin.
Shërbesa në Kapelën Sistine do të ketë në qendër temën “Kujdesi për Krijimin”, që pasqyron angazhimin e përbashkët të Mbretit dhe Papës për mbrojtjen e mjedisit. (A2 Televizion)