Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i heqin vizën e presidentit kolumbian Gustavo Petro, pasi gjatë një tubimi në Nju Jork iu bëri thirrje ushtarëve amerikanë që të mos i binden urdhrave të Donald Trump.
Departamenti i Shtetit i përshkroi komentet e Petros gjatë protestës pro-palestineze si "të pamatura dhe nxitëse".
Udhëheqësi kolumbian ishte në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe më herët ai bëri thirrje për një hetim penal mbi sulmet ajrore të administratës Trump ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.
Ai ishte duke u kthyer për në Bogota kur SHBA-të njoftuan se do të anulonin vizën e tij, raportojnë mediat kolumbiane.
Petro ndau një video në rrjetet sociale ku ai i drejtohej një turme të madhe përmes një megafoni. Ai bëri thirrje për formimin e një "ushtrie shpëtimi botëror, detyra e parë e së cilës është çlirimi i Palestinës".
"Kjo është arsyeja pse, nga këtu në Nju Jork, u kërkoj të gjithë ushtarëve në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të mos i drejtojnë pushkët e tyre nga njerëzimi", tha ai. "Mos iu bindni urdhrit të Trump! Bindjuni urdhrit të njerëzimit!"
Departamenti Amerikan i Shtetit i kritikoi ashpër komentet, duke thënë se ai "u kishte kërkuar ushtarëve amerikanë të mos i bindeshin urdhrave dhe të nxisnin dhunë".
Në rrjetet sociale shkruhej se revokimi i vizës së tij ishte “për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”. (A2 Televizion)