“Rama nuk do ta japë dorëheqjen”, apeli i Malajt: PS t’i heqë shumicën abuzuese në Kuvend  

Nga A2 CNN
18 Tetor 2026, 14:35 | Politikë

Ish-ministri socialist Arben Malaj mendon se Partia Socialiste duhet t’i heqë Edi Ramës shumicën prej 83 mandatesh në Kuvend, pasi sipas tij kryeministri nuk do të japë dorëheqjen me vullnetin e tij.

I ftuar në emisionin “Ditari i Fundjavës”, nga Denisa Pasholli në A2CNN, Malaj deklaroi se përgjegjësia kryesore politike për situatën aktuale bie mbi vetë PS-në.

Sipas ish-ministrit, partia është drejtuar gjatë 14 viteve të fundit me mentalitetin e një ndërmarrjeje me vetëm një pronar, duke iu referuar kryetarit të saj.

“Unë besoj se Rama nuk ka për ta dhënë dorëheqjen, në qoftë se brenda PS-së, nuk ia heqin shumicën abuzuese që kanë 83, po ta lënë me 63, që mos miratojmë më asnjë ligj dhe të shkojë në një marrëveshje. Nuk është turp të japësh dorëheqjen. Kanë dhënë burra shteti në botë për gjëra shumë më të vogla. Përgjegjësia e madhe politike është brenda PS-së, e cila në 14 vite është drejtuar me mentalitetin e një ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuar, që ka një pronar të vetëm, i cili është kryetari i partisë. Rama gjithmonë thotë kam forcën e kartonit. Kartoni nuk të jepet thjesht për të rritur pushtetin tënd absolut deri në mbretëri kryeministrore, por të bësh reforma strukturore, që e bën Shqipërinë vend të jetueshëm”, tha Malaj. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos