Ka nisur me veprime të dhunshme protesta e studentëve dhe gjimnazistëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protestuesit kanë shkulur gurët nga trotuari dhe kanë sulmuar autobotin e policisë dhe uniformat blu.
Raportohet se gabimisht është goditur me gurë gazetarja Elira Kadiu nga "Citizens", e cila për disa momente është parë të ulet në tokë, duke pritur mbërritjen e ambulances, që e ka transportuar pak minuta më vonë në spital. Gazetarja e cila u qëllua me gurë në pjesën e barkut ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës.
Në ditën e gjashtë të protestave, vijohet të bëhet thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë tha më herët sot se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës që kërkon gjak.
Ministria e Arsimit ka marrë masa shtesë sigurie, duke mbyllur dyert dhe dritaret e godinës me dërrasa, pas incidenteve dhe zjarrvënieve të regjistruara gjatë tubimeve.
Ndërkohë, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë pozicionuar pranë institucionit, në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës.
Në pesë ditët e protestave, numri i përgjithshëm i të lënduarve ka arritur në 272. Prej tyre, 169 janë punonjës të Policisë, 82 protestues dhe 21 kalimtarë. (A2 Televizion)