Khamenei i fshehur në bunker, Trump pengoi planin për vrasjen e tij, Netanjahu flet për ndryshim regjimi

Nga Rosalba Bejdo
16 Qershor 2025, 11:34 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump, pengoi planin e Izraelit për të vrarë liderin suprem të Iranit, Ajatollahun Al Khamenei, sipas dy zyrtarëve amerikan.

“A kenë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri më tani. Jo. Deri sa ta bëjnë as nuk duhet të flasim për të shkuar pas lidershipit politik”, citon Reuters një prej zyrtarëve.

Sipas tyre, autoritetet amerikane kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët në Izrael në ditët para se ai të niste operacionin, “Luani në ngritje”, në përpjekjen për të frenuar programin bërthamor të Iranit.

Sipas raportimeve në mediat rajonale, Khamenei, po qëndron i fshehur në një bunker nëntokësor në verilindje të Teheranit, që prej nisjes së sulmeve të premten.

Burimet bëjnë me dije se ai gjendet së bashku me familjen në një bunker në Lavizan. Siç thuhet Izraeli nuk do ta kishte vrarë atë natën e parë të operacionit për t’i dhënë një mundësi të fundit për të braktisur plotësisht programin bërthamor, por se Trump e kishte penguar planin për vrasjen e tij.

Në një deklaratë të dielën Trump tha se Izraeli dhe Irani duhet të arrijnë një marrëveshje, dhe se do të jetë ai që do ta mundësojë.

“Shpresoj që do të ketë një marrëveshje. Mendoj se ka ardhur koha për një marrëveshje dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se ka shanse të mira.”

Trump ka sugjeruar më herët se Rusia dhe presidenti Putini, mund të ndërmjetësojnë për ti dhënë fund luftës mes dy vendeve, edhe pse ai vetë vazhdon i pashqetësuar agresionin kundër Ukrainës. Megjithatë Irani u u ka thënë Katarit dhe Omanit se nuk është i hapur për negociata për një armëpushim ndërsa vijon të jetë nën sulmin izraelit.

Në një intervistë për Fox News të dielën, Netanjahu theksoi se operacioni synonte frenimin e programit bërthamor por se mund të rezultonte me ndryshim të regjimit.

“Do të bëjmë gjithçka për të eliminuar rrezikun ekzistencial nga Teherani”, ishin fjalët e Netanjahut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos