Konflikti Hamas-Izrael, SHBA, rezolutë për armëpushim në Gaza

Nga A2 CNN
7 Mars 2024, 16:42 | Bota

Nuk kanë të ndalur përpjekjet e SHBA-së, për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Pas dështimit të fundjavës së shkuar për gjetjen e një kompromisi mes Izraelit dhe Hamasit në Egjipt, Uashingtoni paraqiti një projektrezolutë të ndryshuar në Këshillin e Sigurisë të OKB-së.

Thelbi i saj është sërish kërkesa për një "armëpushim të menjëhershëm". Në draftin e paraqitur për miratim në instancën më të lartë të OKB-së, thuhet, se “është urgjente një marrëveshje për armëpushim të menjëhershëm brenda gjashtë javësh në Rripin e Gazës për lirimin e të gjithë pengjeve".

Që nga fillimi i luftës vitin e kaluar, SHBA si aleate e ngushtë e Izraelit ishte kundër idesë së "armëpushimit" dhe vendosi tre herë veton ndaj projektrezolutave përkatëse.

Por në kohën e një rritjeje të ndjeshme të numrit të viktimave civile dhe gjendjes emergjente të urisë që kërcënon njerëzit në Rripin e Gazës, Uashingtoni po e rrit presionin ndaj Izraelit.

14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit mund të kërkojnë ndryshime të projektrezolutës. Është e paqartë, kur dhe nëse do të mund të arrihet një votim i saj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos