Izraeli ka paralajmëruar banorët dhe Shtete e Bashkuar se konflikti me Iranin nuk ka përfunduar dhe mundtë përshkallëzohet në ditët në vijim. Mundësia e një hakmarrje nga ana e shtetit hebre ka ngjallur panik në Teheran dhe kjo sipas zyrtarëve të Izraelit mund të çojë në përshkallëzim të situatës.
"Shteti i Izraelit u sulmua me qindra raketa dhe mjete ajrore pa pilot, dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e penguan këtë sulm në një mënyrë mbresëlënëse. Në u kërkojmë Izraelitëve të qëndrojnë vigjilent dhe të vëmendshëm ndaj udhëzimeve të publikuara nga Komanda e ushtrisë, Izraeli duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar. Konfrontimi midis Iranit dhe Izraelit nuk ka përfunduar ende", tha Yoav Gallant, Ministër i Mbrojtjes së Izraelit.
Tel-Avivi nuk e ka përcaktuar akoma mënyrën e reagimit ndaj Iranit, por nëpër korridoret diplomatike të Uashingtonit opsionet e reagimit pritet të diskutohen gjatë takimit të kabinetit të luftës të Izraelit, citon CNN. Aty do të përcaktohet nëse do të ketë një sulm shkatërrues apo reagim me anë të sulmeve hibride.
Por burime për NewYork Times, bëjnë me dije se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka anuluar sulmin e menjëhershëm hakmarrës ndaj Iranit. Sipas prestigjiozes amerikane Netanyahu u dekurajua nga presidenti amerikan Joe Biden edhe pse disa anëtarë të kabinetit të luftës i kishin kërkuar Netanyahut që të përgjigjet menjëherë. Por mungesa e dëmeve serioze në Izrael dhe biseda mes Bidenit dhe Netanyahut bëri që hakmarrja të mos ndodhte menjëherë.
Komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami, përsëriti se çdo veprim ushtarak nga Izraeli ndaj interesave, pronës ose qytetarëve iranian do të përballej me një përgjigje të përshpejtuar, duke konfirmuar kështu frikën e autoriteteve të Izraelit për një përshkallëzim të situatës.
“Që tani e tutje, nëse regjimi sionist sulmon interesat tona, pronat tona, personalitetet tona dhe qytetarët tanë, ne do të hakmerremi kundër tyre nga Republika Islamike e Iranit. Ne kemi vendosur të krijojmë një ekuacion të ri, që është se nëse tani e tutje regjimi sionist sulmon interesat, pasuritë, personalitetet dhe qytetarët tanë, kudo dhe në çdo moment ne do të hakmerremi kundër tyre”, tha Hossein Salami, Komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Aleati më i afërt i Iranit, Rusia ka shprehur "shqetësimin e saj më të madh" për situatën në Lindjen e Mesme. Ministria e Punëve të Jashtme tha në një deklaratë se shpresonte që qeveritë e Lindjes së Mesme do t'i zgjidhnin problemet e tyre përmes mjeteve politike dhe diplomatike.
NATO nga ana e saj ka dënuar sulmet si një "përshkallëzim" të paqëndrueshmërisë rajonale, duke bërë thirrje urgjente për "moderim" nga të gjitha anët.
Irani lëshoi drone ndaj Izraelit në sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë në territorin izraelit, një sulm hakmarrës kundër bombardimeve të Izraelit ndaj konsullatës së tij në kryeqytetin e Sirisë më 1 prill e cila vrau shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike. (A2 Televizion)