Koreja e Veriut fillon një "luftë të pistë" kundër Koresë së Jugut

Nga A2 CNN
29 Maj 2024, 08:30 | Bota

Koreja e Veriut ka dërguar qindra balona fluturuese mbi fqinjin e saj, Korenë e Jugut. Balonat përmbanin sasi të mëdha mbetjesh dhe fletëpalosje me material propagandistike. Seuli e konsideroi këtë veprim, një akt të rrezikshëm. Njësia ushtarake e armëve shpërthyese dhe ekipi i reagimit të luftës kimike dhe biologjike u vendosën në gatishmëri për të inspektuar dhe mbledhur objektet dhe u dha një alarm duke paralajmëruar banorët që të qëndronin larg dhe të raportonin çdo pamje tek autoritetet.

“Objekte të dyshimta që supozohet të jenë fletëpalosje të Koresë së Veriut janë identifikuar në zonat e vijës së parë. Publiku këshillohet të përmbahet nga aktivitetet në natyrë dhe të raportojë çdo objekt të paidentifikuar tek ushtria ose policia".

Prej disa kohësh, Koreja e Veriut ka miratuar një strategji të re për të luftuar me fqinjin e saj jugor: dërgimin e balonave fluturuese me mbeturina që përmbajnë mbetje dhe materiale të tjera të rrezikshme.

Deri të mërkurën, më shumë se 150 balona ishin zbuluar. Disa nga balonat ishin ulur në tokë, ndërsa të tjerët ishin ende në ajër, raportuan mediat lokale, duke cituar burime ushtarake. Balonat janë dërguar rregullisht nga ana tjetër edhe nga aktivistët e Koresë së Jugut, shpesh të udhëhequr nga dezertorët koreano-veriorë. Balonat mbajnë fletëpalosje me mesazhe kritike ndaj Phenianit, duke nxitur tensionin mes fqinjëve.

"Këto akte të Koresë së Veriut shkelin qartë ligjin ndërkombëtar dhe kërcënojnë seriozisht sigurinë e popullit tonë. Ne paralajmërojmë me forcë Veriun që të ndalojë menjëherë akte të tilla çnjerëzore dhe vulgare”, komentoi Shefi i Shtabit.

Qeveritë e mëparshme të Koresë së Jugut kanë kërkuar të ndalojnë aktivistët të kryejnë fushata të tilla, duke argumentuar se ato nuk ndihmojnë në avancimin e paqes dhe rrezikojnë sigurinë e banorëve pranë kufirit. Ushtritë e dy Koreve përballen përtej kufirit ushtarak dhe Koreja e Veriut kërcënon në mënyrë rutinore të asgjësojë fqinjin e saj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos