Kremlini: Pak gjasa për një marrëveshje paqeje në Ukrainë gjatë Krishtlindjes

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2025, 17:37 | Bota

Kremlini: Pak gjasa për një marrëveshje paqeje në

Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka minimizuar shanset për një përparim të madh në bisedimet e paqes në Ukrainë, teksa për të dytën ditë me radhë po zhvillohen bisedime me emisarëve amerikanë dhe rusë.

Yuri Ushakov, këshilltar i presidentit rus, Vladimir Putin, për politikën e jashtme, u tha gazetarëve në Moskë më 21 dhjetor se kryenegociatori Kirill Dmitriev thjesht do të kthehet në Rusi dhe do të paraqesë një raport.

“Amerikanët po festojnë Krishtlindjet këto ditë. Nuk do të ketë shumë njerëz që do të punojnë”, tha ai.

Ushakov gjithashtu hodhi poshtë deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Uashingtoni kishte propozuar bisedime trepalëshe, përcjell A2.

“Deri tani, askush nuk e ka diskutuar seriozisht këtë iniciativë dhe, sa di unë, nuk po punohet për të”, tha ai duke shtuar se Dmitriev po zhvillon bisedime vetëm me zyrtarë amerikanë.

S’ka telefonatë Putin-Trump

Bisedimet në Florida vijnë pas një jave aktiviteti intensiv diplomatik, ku përfaqësuesit amerikanë janë takuar me zyrtarë evropianë dhe ukrainas.

Në nëntor, Trump filloi të ushtrojë presion ndaj Kievit për të pranuar një propozim me 28 pika, që kritikët thanë se ishte në favor të Rusisë. Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë ngarendën të bënin ndryshime për të mbrojtur interesat e Ukrainës në territor, garanci sigurie për Kievin dhe çështje të tjera, me raportime që kanë sugjeruar se plani tani përfshin 20 pika dhe përfshin më shumë interesa të Kievit.

“Jam i sigurt se propozimet që evropianët dhe ukrainasit kanë bërë ose përpiqen të bëjnë padyshim nuk përmirësojnë dokumentin dhe nuk rrisin mundësinë për arritjen e paqes afatgjate”, tha Ushakov.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 21 dhjetor se nuk ka plane për një bisedë telefonike midis Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, “por mund të organizohet shpejt nëse është e nevojshme”.

Ai shtoi se Putini do të takohet me udhëheqësin bjellorus, Aleksandr Lukashenko, një aleat i rëndësishëm që është parë si një kanal i mundshëm për komunikim me Uashingtonin, gjatë takimeve diplomatike në Shën Petersburg më 21-22 dhjetor.

Peskov gjithashtu tha se Putini do të zhvillojë takime me liderët e Armenisë, Azerbajxhanit, Kirgizisë, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit gjatë këtyre ngjarjeve.

Më 20 dhjetor, pas ditës së parë të bisedimeve në Floridë, Dmitriev deklaroi se Rusia dhe SHBA-ja po zhvillonin bisedime “konstruktive”.

Të gjitha palët e përfshira në procesin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja kanë përmendur rregullisht “përparim” ose kanë bërë vlerësime të ngjashme, pa dhënë detaje.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për bisedimet, megjithëse Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan të paidentifikuar, raportoi se bisedimet kishin përfunduar për atë ditë.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, besohet se po përfaqësonin Uashingtonin. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte thënë më herët se mund të merrte pjesë në bisedimet e fundjavës, por nuk u dhanë detaje.

Diskutimet në SHBA janë hapi më i fundit në përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë dhe po i afrohet vitit të katërt.

Para bisedimeve në Florida, Rubio këmbënguli se Uashingtoni nuk do ta detyrojë asnjërën palë të pranojë një marrëveshje.

“Nuk mund ta detyrojmë Ukrainën të bëjë një marrëveshje. Nuk mund ta detyrojmë Rusinë të bëjë një marrëveshje. Ato duhet të duan vetë të bëjnë një marrëveshje”, tha ai.

“Mendoj se kemi bërë përparim [në proces], por kemi ende rrugë për të bërë. Dhe, padyshim, çështjet më të vështira janë gjithmonë ato të fundit”, shtoi kryediplomati amerikan.

Detajet e planeve që po përpunohen mbeten të paqarta, por kornizat e përgjithshme parashikojnë që Ukraina të bëjë lëshime territoriale në këmbim të garancive të sigurisë.

Deklaratat e fundit vijnë pas edhe një jave tjetër me aktivitet të shtuar diplomatik dhe ushtarak, teksa Rusia po vazhdon të godasë objektiva civile, infrastrukturë dhe ushtarake në Ukrainë, ndërkohë që Kievi po përpiqet të mbrojë terrenin në lindje të vendit dhe kundërpërgjigjet me sulme ndaj asaj që thotë se janë objektiva me rëndësi ushtarake brenda Rusisë.

Gjatë javës, emisarët amerikanë zhvilluan bisedime me zyrtarë evropianë dhe ukrainas, dhe gjatë një samiti të Bashkimit Evropian u miratua një kredi prej 106 miliardë dollarësh për Kievin, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti një konferencë shtypi prej katër orësh e gjysmë, ku përsëriti kërkesat e tij ë, së bashku me pretendime e kontestueshme për përparime në fushëbetejë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos