Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për krijimin e një "ushtrie të Evropës" për t'u mbrojtur kundër Rusisë, pasi ai sugjeroi se SHBA mund të mos i vijë më në ndihmë kontinentit. Duke folur në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Zelensky tha gjithashtu se Ukraina "nuk do të pranonte kurrë marrëveshjet e bëra pas shpine pa përfshirjen tonë" pasi presidenti i SHBA Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin ranë dakord për të filluar bisedimet e paqes, shkruan A2 CNN.
“Shumë liderë kanë folur për Evropën që ka nevojë për ushtrinë saj - një ushtri të Evropës. Dhe unë vërtet besoj se ka ardhur koha: duhet të krijohen forcat e armatosura të Evropës. Pa ushtrinë e Ukrainës, ushtritë e Evropës nuk do të mjaftojnë për të ndalur Rusinë, ky është realitet për sot. Vetëm ushtria jonë në Evropë ka përvojë reale moderne në fushën e betejës. Por vetëm ushtria jonë nuk mjafton. Dhe ne kemi nevojë për atë që ju mund të siguroni: armë, stërvitje, sanksione, financime, presion politik dhe unitet", tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.
Zelensky se Ukraina nuk do të pranonte kurrë asnjë marrëveshje paqeje të arritur pas shpine ose pa përfshirjen e Kievit - një mesazh i nënkuptuar për Presidentin e SHBA Donald Trump ndërsa ai përpiqet t'i japë fund luftës me Rusinë.
"Ukraina nuk do të pranojë kurrë marrëveshjet e bëra pas shpine pa përfshirjen tonë. Dhe i njëjti rregull duhet të zbatohet për të gjithë Evropën", u shpreh Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.
Ukraina ka thënë vazhdimisht se dëshiron të bashkohet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të hartuar një strategji të përbashkët përpara çdo takimi Trump-Putin. Administrata Trump deri më tani ka lënë përshtypjen mes disa aleatëve evropianë se po i bënte lëshime Putinit në kurriz të Ukrainës përpara se të fillonin negociatat, megjithëse vërejtjet e disa zyrtarëve të lartë amerikanë kanë ngritur konfuzion. (A2 Televizion)