Kryebashkiakja e Parisit do të zhytet në lumin Senë, për të demonstruar se uji është i pastër

Nga A2 CNN
12 Korrik 2024, 10:19 | Bota

Kryebashkiakja e Parisit do të zhytet në lumin Senë, për

Pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, mbetet akoma e dyshimtë nëse lumi i Senës është i sigurt për të notuar. Mirëpo, Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka njoftuar se më 17 korrik do të zhytet në lumë për të demonstruar sigurinë e ujërave. Qëllimi është t'u dëshmohet parizienëve se investimi i madh për pastrimin e Senës, që arrin në 1.4 miliardë euro, ia ka vlejtur. 

Momentalisht, cilësia e ujit varet drejpërdrejtë nga reshjet. Testet e kryera në lumë në qershor treguan nivele shumë të larta të baktereve Escherichia Coli dhe Enterococci, sidomos pas reshjeve. Kjo është për shkak se sistemi i kanalizimeve shekullore të Parisit nuk është gjithmonë në gjendje të mbajë ujërat e zeza që shpesh derdhen në lumë. Moti i favorshëm i ditëve të fundit ka përmirësuar situatën. 

Sena do të ketë një rol qendror në Lojërat Olimpike të këtij viti. Përveç ceremonisë së hapjes, në lumë do të zhvillohen garat e notit. Nëse lumi nuk konsiderohet i sigurt, konkursi i notit do të zhvendoset në Vaire-sur-Marne.

Të gjithë qytetarët do të përfitojnë nga pastrimi i Senës. Kryebashkiakja Hidalgo ka njoftuar edhe krijimin e tri zonave për të bërë plazh përgjatë lumit, deri në vitin 2025. Ujërat e Senës ishin shpallur të papërshtatshme për not në vitin 1923 dhe që atëherë të gjitha përpjekjet për të pastruar dhe rregulluar ndotjen, kanë dështuar. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos