“Kubeja e çeliktë” 1,1 miliardë euro, Turqia forcon mburojën ajrore

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 09:34 | Bota

“Kubeja e çeliktë” 1,1 miliardë euro, Turqia forcon

Turqia ka ndërmarrë një hap të ri të madh për forcimin e sistemit të saj të mbrojtjes ajrore shumëkatëshe “Kubeja e Çeliktë”. Kompania e njohur turke ASELSAN ka nënshkruar me Presidencën e Industrisë së Mbrojtjes një marrëveshje shtesë me vlerë mbi 1,122 miliardë euro për vazhdimin e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore. Dorëzimet e para janë planifikuar të zhvillohen gjatë viteve 2027-2030.

Sipas CNN Turk, marrëveshja përfshin zhvillimin e mëtejshëm të “Kubesë së Çeliktë”, e cila përbëhet nga disa shtresa mbrojtëse: në shtresën e ulët ndodhen sistemet KORKUT, në mes HİSAR, ndërsa në pjesën e sipërme SİPER, që plotësojnë mburojën e plotë ajrore të vendit.

“Kubeja e Çeliktë” shërben si “truri” i mbrojtjes ajrore turke, duke integruar në një rrjet të vetëm sistemet e radarëve, armëve, moduleve të komunikimit, sensorëve elektro-optikë dhe inteligjencës artificiale, përcjell A2 CNN. Sistemi mundëson krijimin e një pamjeje të përbashkët ajrore dhe dërgimin në kohë reale të të dhënave në qendrat operative, për vendimmarrje të shpejtë dhe efektive.

Industria turke e mbrojtjes po shënon një tjetër prani të rëndësishme ndërkombëtare me pjesëmarrjen në panairin BAMEX 2025 në Bamako të Malit, ku kompani si Baykar, ASELSAN, Roketsan, MKE, STM dhe të tjera po prezantojnë produktet e tyre për tregjet afrikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos