Shqipëria reagon ndaj deklaratave të Daçiç, Ferit Hoxha: Kosova është realitet i pakthyeshëm

Nga Merita Haklaj
11 Tetor 2026, 19:41 | Politikë

Shqipëria ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë një tubimi elektoral premtoi se flamuri i Serbisë do të ngrihej sërish në Kosovë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, e ka cilësuar këtë retorikë të rrezikshme, duke paralajmëruar se deklarata të tilla mund të nxisin veprime konkrete kundër sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Sipas Hoxhës, një gjuhë e tillë mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku që ajo të inkurajonte persona të gatshëm për të vepruar.

Kreu i diplomacisë shqiptare ka sjellë në vëmendje sulmin e armatosur në Banjskë, duke theksuar se përgjegjësia e plotë për këtë ngjarje ende nuk është përcaktuar.

“Banjska mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime”, ka deklaruar Hoxha.

Ministri i Jashtëm ka nënvizuar se Shqipëria mbetet e bindur se e vetmja rrugë përpara është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi me të kaluarën.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm për sa kohë mohohen realitetet, vihet në dyshim legjitimiteti i vendeve fqinje dhe përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.

Hoxha ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor i njeh mirë pasojat e nacionalizmit, përçarjes dhe provokimeve politike, duke theksuar se rajoni nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës.

Ai ka kujtuar se vetë Evropa është ndërtuar mbi dialogun, njohjen, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, dhe jo mbi kërcënimet apo nostalgjinë për të kaluarën.

Në përfundim, kreu i diplomacisë shqiptare ka riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të ndërtohet mbi paqen, sigurinë, gjithëpërfshirjen dhe integrimin evropian.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos