Hoxha i përgjigjet Daçiçit: Kosova është shtet sovran, askush nuk mund ta kthejë pas historinë

Nga A2 CNN
11 Tetor 2026, 18:24 | Politikë

Hoxha i përgjigjet Daçiçit: Kosova është shtet

Ministri Hoxha ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë fushatës elektorale është shprehur se do ta ngrinte sërish flamurin serb në Kosovë.

Hoxha i cilësoi deklaratat e tilla si nxitëse, duke paralajmëruar se retorika kërcënuese mund të rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në reagimin e tij, ministri theksoi se deklaratat e tilla nuk mund të konsiderohen thjesht retorikë politike, pasi mund të nxisin veprime që cenojnë paqen.

Reagimi:

Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime.

Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.

Megjithatë, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.

Ndërtimi i paqes dhe besimit kërkon kohë, shpesh vite, në mos dekada. Ai kërkon vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Vetë Evropa u ndërtua mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.

Në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika provokuese. Nuk mund të lejojmë t’i harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim gabimet e së kaluarës.

Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po konsolidon vazhdimisht pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë një e ardhme paqeje, sigurie, gjithëpërfshirjeje dhe integrimi evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos