“Kur do t’i përdorim armët bërthamore”, Zakharova: Duam një përgjigje për sulmin mbi Krime

Nga A2 CNN
24 Qershor 2024, 11:38 | Bota

Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes të përcaktuar në politikën zyrtare për përdorimin e armëve bërthamore nëse Moska beson se kërcënimet ndaj saj mund të rriten. Kështu është shprehur Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Parlamentare, Andrei Kartapolov.

"Nëse shohim se sfidat dhe kërcënimet rriten, kjo do të thotë se ne mund të korrigjojmë diçka në doktrinën në lidhje me kohën e përdorimit të armëve bërthamore dhe vendimin për ta bërë këtë përdorim", tha Andrei Kartapolov, Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Parlamentare.

Kartapolov, i cili dikur komandonte forcat ruse në Siri dhe tani shërben si ligjvënës nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar, shtoi se ishte shumë herët për të folur për ndryshime specifike në doktrinën bërthamore. Doktrina bërthamore e Rusisë 2020 përcakton se kur presidenti i saj konsideron përdorimin e një arme bërthamore: si një përgjigje ndaj një sulmi që përdor armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë ose armë konvencionale "kur vetë ekzistenca e shtetit vihet në rrezik".

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962. Vladimir Putin muajin e kaluar tha se Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj zyrtare bërthamore duke përcaktuar kushtet në të cilat armë të tilla mund të përdoren. Sakaq, zemërimi rus është shtuar pas sulmeve të fundit ukrainase mbi Gadishullin e Krimesë, në të cilën u vranë 5 persona dhe plagosur 151 të tjerë. Maria Zakharova, Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, kërkoi një përgjigje nga ana e komunitetit ndërkombëtar për këtë sulm.

“Fatkeqësisht, këto struktura (OSBE dhe OKB) janë tërësisht të njëanshme dhe nuk janë më organizata ndërkombëtare, por janë mjete në duart e Perëndimit. Ne do të kërkojmë një përgjigje, do të bëjmë gjithçka që komuniteti ndërkombëtar të njoftohet për krimet e fundit të regjimit të Kievit”, tha Maria Zakharova, Zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se katër nga raketat e Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë (ATACMS), të dorëzuara nga SHBA, u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municioni i njërit prej tyre shpërtheu në ajër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos