Kush e kontrollon paranë në SHBA? Trump rrezikon pavarësinë e BQ, i shpall luftë Powell

Nga Rosalba Bejdo
13 Janar 2026, 22:40 | Bota

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim penal ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, ndërsa Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Donald Trump përshkallëzon përplasjen me bankën qendrore dhe vë në pikëpyetje pavarësinë e saj.

Në një video të publikuar të dielën, Powell – zakonisht i rezervuar dhe i kujdesshëm në deklarata – ndërmori një hap të jashtëzakonshëm duke denoncuar publikisht hetimin si ndëshkim për refuzimin e tij për të ulur normat e interesit sipas dëshirës së presidentit amerikan. Ky është vetëm kapitulli i fundit në një seri të gjatë sulmesh të Shtëpisë së Bardhë ndaj Rezervës Federale.

Po kush është Jerome Powell dhe pse po hetohet?
Si kryetar i Rezervës Federale, Jerome Powell është fytyra publike e bankës qendrore amerikane që prej vitit 2018. Ai u emërua fillimisht nga Donald Trump për një mandat katërvjeçar dhe më pas u riemërua nga Joe Biden në vitin 2022. Mandati i tij si kryetar përfundon në maj.

Powell nuk i vendos i vetëm normat e interesit. Ai është pjesë e Komitetit Federal të Tregut të Hapur, një bord prej 12 anëtarësh që votojnë tetë herë në vit për ndryshimet e politikës monetare. Megjithëse ka vetëm një votë nga 12, Powell ka ndikim të jashtëzakonshëm si zëri më i fuqishëm në vlerësimin e gjendjes së ekonomisë amerikane, shkruan A2 CNN.

Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se hetimi lidhet me “keqpërdorim të parave të taksapaguesve”, por nuk ka dhënë detaje konkrete. Shumë nga informacionet e deritanishme vijnë nga vetë deklaratat e Powell.

“Një thirrje zyrtare nga gjykata në thelb është thjesht një kërkesë për informacion. Por është një kërkesë për të cilën ke detyrim ligjor të japësh informacionin e kërkuar. Sfida nuk është vetëm vetë kërkesa, por fakti që një thirrje e tillë shpesh është tregues i një hetimi”, tha Harvey J. Goldschmid.

Hetimi shihet si një përshkallëzim i sulmeve të mëhershme të Shtëpisë së Bardhë lidhur me rinovimin e selisë së Rezervës Federale në Uashington. Gjatë verës, Trump e kritikoi publikisht Powell për koston e projektit – 2.5 miliardë dollarë, nga 1.9 miliardë sa ishte parashikuar fillimisht në vitin 2019. Trump e akuzoi se po mbikëqyrte një rinovim luksoz, duke përmendur sallë VIP për darka dhe tarraca kopshtesh.

Sipas Powell, Departamenti i Drejtësisë i ka dërguar Fed-it thirrje nga juria e madhe dhe ka kërcënuar me aktakuzë penale, në lidhje me dëshminë që ai ka dhënë në qershor para Komitetit Bankar të Senatit. Dëshmia ishte pjesë e raportimit të rregullt gjashtëmujor mbi gjendjen e ekonomisë.

Të dielën, Powell reagoi ashpër duke mbrojtur pavarësinë e Rezervës Federale dhe duke e lidhur drejtpërdrejt hetimin me presionin e Shtëpisë së Bardhë për uljen e normave të interesit.

“Ky është një veprim i paprecedent që duhet parë në kontekstin më të gjerë të kërcënimeve dhe presionit të vazhdueshëm të administratës. Këto janë vetëm pretekste”, deklaroi Powell.

Një deklaratë e nënshkruar nga të gjithë ish-kryetarët e gjallë të Rezervës Federale e dënoi hetimin, duke paralajmëruar se sulme të tilla politike ndaj bankave qendrore të pavarura kanë çuar historikisht në ekonomi të paqëndrueshme dhe rritje të kostos së jetesës.

Ekonomistët paralajmërojnë se presioni politik ndaj Fed-it mund ta fusë SHBA-në në një skenar inflacioni të ngjashëm me vitet ’70 dhe të shkaktojë tronditje në tregjet financiare globale.

Pse është kaq e rëndësishme pavarësia e Fed-it?
Pavarësia e Rezervës Federale është themelore që nga krijimi i saj nga Kongresi në vitin 1913. Vendimet e bankës qendrore duhet të bazohen në të dhëna dhe analiza ekonomike, jo në presion politik.

“Kjo ka të bëjë me faktin nëse Rezerva Federale do të vazhdojë të vendosë normat e interesit bazuar në prova dhe kushte ekonomike, apo nëse politika monetare do të diktohet nga frikësimi politik”, përfundoi Powell. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos