SPAK ka regjistruar hetimin ndaj ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në këtë qytet, Elisabeta Mataj, e dyshuar si e përfshirë në vjedhjen e gati 700 mijë eurove, fonde që duhet të shkonin për pensione dhe ndihmë sociale.
Burime pranë SPAK bënë me dije se përveç veprës penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën" është shtuar edhe ajo e "grupit të strukturuar kriminal".
Dosja ndaj ish-drejtoreshës, Mataj, ish-shefes së financës Valbona Duni dhe ish-arkëtares, Paola Dana, u përcoll në SPAK nga Prokuroria e Durrësit, e cila shpalli moskompetencë për hetimin e rastit. Pas gati 5 muajsh hetim, hetuesit ngritën dyshime për ekzistencën e një grupi kriminal dhe të një skeme vjedhjeje të shtrirë në kohë.
Sipas tyre shuma e parave të vjedhura mund të jetë më e madhe se 700 mijë euro të “avulluara” në prill-maj 2026. Zgjerimi i hetimit, mund të kërkojë verifikimin edhe të veprimeve të paraardhëses së Matajt, ish-drejtoreshës, Etleva Budini, aktualisht deputete e Kuvendit të Republikës.
Gjatë hetimit të deritanishëm janë ngritur dyshime se personat përgjegjës për vjedhjen e parave të pensioneve dhe ndihmës sociale kanë bërë manovra financiare me shumat e parave, vënien në qarkullim të tyre, me qëllim përfitimin e interesave.
Të kontaktuar nga A2, avokatët e ish-drejtoreshës Mataj pretenduan se nuk janë njoftuar zyrtarisht për moskompetencën. Ata thanë se do të kërkonin aktin në një seancë për informacion 2-mujor, e planifikuar për të premten në Gjykatën e Durrësit.
Të dyshuarit e deritanishëm për çështjen, Mataj, Duni dhe Dani janë duke u hetuar në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në ditët në vijim, ato pritet të dalin para Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë. (A2 Televizion)