“Largohu nga Gaza”, Blinken kritikon Netanyahun: Krijo planin e rindërtimit

Nga A2 CNN
13 Maj 2024, 10:15 | Bota

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Izraelit që të tërhiqet nga Gaza. Në një intervistë për rrjetin amerikan të mediave CBS News, numri dy i administratës Biden thekson se Izraeli ka vrarë më shumë civilë se terroristë.

Blinken kërkon nga Izraeli planin e rindërtimit për Gazën: “Ndërsa operacionet e Izraelit kanë vijuar, procedurat, rregullat, rregulloret që përpiqen të minimizojnë dëmet civile, rezultojnë se nuk janë zbatuar në mënyrë konsistente dhe efektive. Ne kemi punuar për shumë e shumë javë në zhvillimin e planeve të besueshme për sigurinë për qeverisjen, për rindërtimin. Nuk e kemi parë që të vijë një gjë e tillë nga Izraeli”.

Pavarësisht paralajmërimeve nga Presidenti Joe Biden dhe Antony Blinken për tërheqjen ushtarake, Izraeli duket i vendosur për të avancuar.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur vendin tonë. Kjo do të thotë të mbrosh të ardhmen. Kjo do të thotë që ne do të mposhtim Hamasin, duke ndërhyrë në Rafah. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Agjencia e Ndihmave e Kombeve të Bashkuara thekson se 33 mijë persona janë larguar nga banesat e tyre në përpjekje për t’i shpëtuar ofensivës izraelite në Rafah. Por, shumë nga të zhvendosurit thonë se nuk kanë ku të shkojnë: “Nuk ka asnjë vend të sigurt. Është e njëjta histori sa herë që ne lëvizim. Nuk ka asnjë vend të sigurt, kudo që shkojmë ka bombardime”.

Zyrtarët palestinezë kanë paralajmëruar qeverinë e Netanyahut se po e bën situatën akoma më katastrofike: “Ai po e çon situatën në një nivel tjetër. Në një nivel katastrofik. Nivel kriminal do të thoja pa dyshim. Pa asnjë rezultat specifik”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se vdekjet totale tani kanë kaluar 35 mijë, ku vetëm 36 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos