
Libani, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë që synon hapjen e rrugës drejt një procesi paqeje. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se marrëveshja u firmos në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se kjo është një marrëveshje fillestare mes Libanit dhe Izraelit.
“Ekziston një marrëveshje kornizë midis Libanit dhe Izraelit, ky është një hap i parë,” tha ai, duke shtuar se paqja dhe siguria janë ajo që meritojnë të dy vendet.
Edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen si një “arritje të madhe”, duke e konsideruar gjithashtu një goditje ndaj Iranit. Sipas tij, negociatat e gjata kanë sjellë rezultat dhe Izraeli do të vijojë të ruajë sigurinë në jug të vendit derisa Hezbollahu të çarmatoset.
"Negociatat ishin të gjata dhe sot ato kanë dhënë fryte. Gjëja më e rëndësishme është që Izraeli të mbetet në zonën e sigurt në jug. Kjo është një arritje e madhe dhe ne do ta ruajmë atë derisa Hezbollahu të çarmatoset, për sa kohë që ekziston rreziku për Shtetin e Izraelit. Kjo është gjithashtu një goditje serioze për Iranin”tha Benjamin Netanyahu.
Netanyahu theksoi gjithashtu se marrëveshja përfaqëson një qëndrim të përbashkët të Izraelit, Libanit dhe SHBA-së për çështjet e sigurisë rajonale. (A2 Televizion)