Lideri suprem i Iranit kërcënon Trump-in

Nga A2 CNN
9 Janar 2026, 13:30 | Bota

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka kërcënuar presidentin amerikan Donald Trump, duke parashikuar se ai do të “rrëzohet”, ndërsa e ka fajësuar SHBA-në për protestat masive antiqeveritare që po tronditin Iranin prej gati dy javësh.

Në demonstratat më të mëdha deri tani, mijëra qytetarë dolën në rrugë në disa qytete kryesore, duke brohoritur slogane si “vdekje diktatorit” dhe duke djegur ndërtesa shtetërore. Protestat shpërthyen nga zemërimi për rritjen e kostos së jetesës, por janë shndërruar në thirrje të hapura për fundin e regjimit teokratik. Sipas Netblocks, autoritetet iraniane vendosën një bllokadë totale të internetit, e cila zgjati mbi 12 orë, në përpjekje për të shtypur protestat.

Në fjalimin e tij të parë lidhur me trazirat, të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei i quajti protestuesit “vandalë” dhe “sabotatorë”, duke deklaruar se Republika Islamike “nuk do të tërhiqet”. Ai akuzoi Trumpin se ka “duart e lyera me gjakun e mbi një mijë iranianëve” dhe tha se presidenti amerikan do të pësojë fatin e dinastisë perandorake të rrëzuar në vitin 1979.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi se “entuziazmi për përmbysjen e regjimit iranian është i jashtëzakonshëm”, duke paralajmëruar se SHBA-ja do të reagojë ashpër nëse autoritetet iraniane vrasin protestuesit.

Protestat janë raportuar në Teheran, Tabriz, Mashhad, Isfahan dhe në rajonet kurde, duke përbërë sfidën më të madhe për regjimin iranian që nga trazirat e viteve 2022-2023 pas vdekjes së Mahsa Amini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos