
Zyrtarët amerikanë kanë informuar disa vende evropiane se një pjesë e dërgesave të armëve, të kontraktuara më herët, pritet të vonohen për shkak të situatës së luftës në Iran dhe konsumimit të rezervave ushtarake.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, vonesat do të prekin disa shtete në rajonin e Baltikut dhe në Skandinavi. Bëhet fjalë për armatime të blera në kuadër të programit Foreign Military Sales (FMS), të cilat ende nuk janë dorëzuar.
Në komunikimet e fundit dypalëshe, zyrtarët amerikanë u kanë bërë të qartë homologëve evropianë se këto furnizime mund të shtyhen në kohë. Programi FMS u mundëson vendeve të huaja të blejnë armë të prodhuara në SHBA, me mbështetje logjistike dhe miratim nga qeveria amerikane.
Gjatë presidencës së Donald Trump, Uashingtoni ka shtyrë vendet e NATO-s të rrisin blerjet e armatimeve amerikane, si pjesë e një strategjie për të zhvendosur më shumë përgjegjësi të mbrojtjes tek aleatët evropianë.
Megjithatë, vonesat në furnizime kanë krijuar pakënaqësi në disa kryeqytete evropiane, ku zyrtarët po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë alternativa për të investuar në industrinë vendase të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë argumentojnë se prioritet mbetet mbështetja e operacioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa kanë kritikuar disa vende evropiane për mungesë angazhimi në përpjekjet për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
(A2 Televizion)