Lufta në Ukrainë, Blinken dhe Lavrov në takimin e OSBE-së në Maltë

Nga Rosalba Bejdo
5 Dhjetor 2024, 11:01 | Bota

Lufta në Ukrainë, Blinken dhe Lavrov në takimin e OSBE-së

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antoni Blinken mund të përballen mbi luftën në Ukrainë të enjten, ndërsa do të marrin pjesë në një takim vjetor të organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Europë, në Maltë.

Ukraina do të jetë çështja më dominante në takimin e OSBE, organizëm ku fuqitë perëndimore kanë akuzuar Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të tjera ndërkombëtare. Për Lavrov, ky është udhëtimi i parë në një shtet anëtar të BE-së, që kur Rusia nisi luftën e plotë në Ukrainë në shkurt të 2022.

Ai dhe Sekretari i Shtetit Blinken, të cilit i përfundon mandati muajin e ardhshëm nuk kanë planifikuar ndonjë takim. Edhe pse me raste kanë qenë në mbledhje të njëjta ndërkombëtare, ndërveprimet mes të dyve kanë qenë të kufizuara që prej nisjes së luftës.

Në mars të 2023, në kuadër të samitit të G20 në Nju Delhi ata patën një përballje të paplanifikuar, që sipas Ministrisë së Jashtme në Rusi, zgjati më pak se 10 minuta. Blinken tha më vonë në një konferencë për shtyp se i kishte kërkuar Lavrovit të angazhohet në diplomaci. Ndërkohë ministri i jashtëm rus, pohoi për mediat vendase se takimi kishte qenë konstruktiv, por se nuk kishte dëgjuar diçka të re nga qëndrimet e SHBA-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos