Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për vendosjen e paqes në Ukrainë, përmes bisedimeve që do të zhvillohen në Turqi.
Komentet Rutte i bëri nga Tirana, teksa ndodhet në Sheshin Skënderbej, ku po mbahet mbledhja e Komunitetit Politik Europian, shkruan A2 CNN.
Rutte tha gjithashtu se ‘topi’ tani është në fushën e Putinit dhe sipas tij, është Presidenti rus tani që duhet të bëjë përpjekje për arritjen e një paqeje të qëndrueshme mes dy vendeve.
Rutte po ashtu vlerësoi rolin e SHBA-ve dhe të Presidentit Donald Trump për të zhbllokuar situatën e krijuar në Ukrainë, pas nisjes së agresionit rus.
“Çdo pjesë e territorit ukrainas duhet të jetë aty. Putin bëri gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët. Topi është në fushën e tij. Ai duhet të luajë, për vendosjen e paqes. E njoh shumë mirë Putinin, e di që ai nuk është i prirur për paqe.
Është shumë mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryezë dhe kanë dërguar një delegacion mjaft të prirur për të negociuar paqen. Jam shumë i lumtur për rolin që po luan SHBA, për rolin që ka marrë Trump për të zhbllokuar gjithë këtë situatë.
Zhvillova një vizitë shumë të mirë në rajon, pata diskutime shumë të mira edhe në Bruksel me Presidentin Vuçiç”, tha Rutte. (A2 Televizion)