Gazetari Mentor Nazarko deklaroi se Serbia po rifaktorizohet në rajon dhe kjo gjë, sipas tij, do të sjellë rritje të presionit perëndimor ndaj Kosovës.
“Jemi duke asistuar në këto zhvillimet e mëdha në rajon, që është rifaktorizimi i Serbisë. Unë mendoj që ky është një shqetësim shumë i madh dhe do të thotë që mbi Kosovën do të rritet presioni perëndimor. Do preferoja që kjo ndjeshmëri për problemet e Shqipërisë të ishte edhe për problemet e Kosovës. E vërteta është që në Kosovë nuk ka protesta dhe një nga arsyet pse s'kanë protesta në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, është sepse atje ka politika sociale, ka ndihma, ka bonuse”, tha Nazarko.
“Në Kosovë sot ka ndërprerje të rrymës ndërkohë që jemi në tetor. Ditën e zgjedhjeve kishte 5 orë ndërprerje të rrymës dhe Kosova nuk e ka zgjidhur ende. Është në një lloj vetëverbimi të cilit ne i shërbejmë edhe së jashtmi, por edhe ato intelektualët i shërbejnë së brendshmi. Ekziston ai miti që atje s'ka korrupsion, atje s'ka varësi nga Serbia, ndërkohë që e vërteta është tërësisht e kundërta. Ka 128 milionë euro importe energjie vetëm nga Serbia”, shtoi Nazarko.
(A2 Televizion)