Donald Trump do të godasë Kinën, Meksikën dhe Kanadanë me tarifa të reja që në ditën e parë të presidencës së tij, shkruan A2 CNN. Këtë thotë se do ta bëjë si pjesë e përpjekjes për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës për në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i zgjedhur amerikan njofton se menjëherë pas inaugurimit të tij më 20 janar, ai do të firmosë një urdhër ekzekutiv duke vendosur tarifa me vlerë 25 për qind për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika dhe Kanadaja. Trump tha gjithashtu se një tarifë shtesë prej 10 për qind do t’i vendoset Kinës derisa qeveria atje të bllokojë kontrabandën e fentanilit sintetik opioid nga vendi.
Nëse presidenti i zgjedhur vazhdon me kërcënimet, do të shënojë një përshkallëzim të madh të tensioneve me tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës. Masat mund të shkaktojnë trazira në zinxhirin e furnizimeve globale dhe ka potencialin të prekë rëndë vendet e shënjestruara nga tarifat. Trump thekson se masat ndaj Meksikës dhe Kanadasë do të mbesin në fuqi derisa këto dy shtete të luftojnë trafikun e drogës, veçanërisht fentanilit, dhe të emigrantëve të paligjshëm. “Si Meksika dhe Kanadaja kanë të drejtën dhe fuqinë absolute për të zgjidhur lehtësisht këtë problem që po vazhdon gjatë. Është koha që ata të paguajnë një çmim shumë të madh!”, tha Trump.
Në një postim të veçantë, Trump sulmoi Pekinin për dështimin për të zbatuar premtimet që ai tha se zyrtarët kinezë kanë bërë për të aplikuar dënimin me vdekje për njerëzit e kapur duke marrë fentanyl. Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha për mediat ndërkombëtare se “ideja që Kina me vetëdije lejon që prekursorët e fentanilit të rrjedhin në Shtetet e Bashkuara bie plotësisht në kundërshtim me faktet dhe realitetin”. “Kina beson se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA është reciprokisht i dobishëm në natyrë. Askush nuk do të fitojë një luftë tregtare apo një luftë tarifash”, shtoi zyrtari kinez në Amerikë.
Administrata Biden i ka bërë thirrje Pekinit të bëjë më shumë për të ndaluar prodhimin e përbërësve të përdorur në fentanyl, për të cilin Uashingtoni vlerëson se vrau pothuajse 75,000 amerikanë vitin e kaluar. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump kërcënoi Meksikën dhe Kinën me tarifa deri në 100%, nëse i konsideronte të nevojshme, shumë më të larta se ato që vendosi gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. (A2 Televizion)