"Mallkimi" i Trump, SHBA e ka të pamundur të ndalë luftën në Ukrainë

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 15:33 | Bota

SHBA nuk do të mund të jetë në gjendje të arrijë një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës. Burime diplomatike për Agjencinë Ndërkombëtare Reuters, bëjnë me dije se, Zyrtarë të lartë të administratës Trump po hartojnë plane të reja për të ushtruar presion mbi Kievin dhe Moskën. Një rezultat i tillë do të ishte mallkim për Trump, pasi marrëveshja që ka premtuar në mënyrë të përsëritur rrezikon ta tërheqë NATO-n në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë e pajisur me armë bërthamore. Zyrtarët e lartë amerikanë janë ankuar për javë të tëra privatisht për trajtimin e negociatave nga Kievi dhe atë që ata e shohin si rezistencë ndaj marrëveshjes së mineraleve me Uashingtonin dhe përparimin e bisedimeve të paqes. Por ditët e fundit, thanë burimet, zyrtarët janë gjithnjë e më të frustruar me Moskën.

Në një seri takimesh dhe telefonatash gjatë fundjavës, zyrtarë brenda Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit pranuan se presidenti rus Vladimir Putin po i reziston në mënyrë aktive përpjekjeve të Uashingtonit për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje dhe diskutuan se cilat, nëse ka, ndëshkime ekonomike ose diplomatike mund ta shtyjnë Rusinë më pranë një marrëveshjeje, thanë burimet për Reuters.

Sakaq, lajme jo të mira vijnë nga Gjermania. Sipas një sondazhi, më shumë se gjysma e gjermanëve janë të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë. Prandaj, 54 përqind e të anketuarve iu përgjigjën një pyetjeje në një sondazh të Forsa-s të përgatitur nga RTL/ntv dhe thanë se ishin shumë të shqetësuar për këtë.

Ndërkohë, luftimet kanë vijuar në tokën ukrainase. Një person u vra dhe dhjetë të tjerë u plagosën nga sulmet me dronë rusë në Ukrainë. Ngjarja ndodhi në rajonin jugor të Zaporizhiaz. Dy persona të tjerë u plagosën. Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit, tetë persona u plagosën nga sulmet me dronë, sipas kryebashkiakut Ihor Terekhov. Autoritetet folën për një "sulm masiv nga dronët e armikut". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos