Marina meksikane gjen varkat e humbura me ndihma humanitare për Kubën, rinisen drejt Havanës

Nga A2 CNN
28 Mars 2026, 12:19 | Bota

Marina meksikane gjen varkat e humbura me ndihma humanitare për Kubën,

Dy varka me vela që ishin zhdukur gjatë transportimit të ndihmave humanitare nga Meksika drejt Kubës janë gjetur nga Marina Meksikane dhe ekuipazhet e tyre janë të sigurta, tha të shtunën një zëdhënës i konvojit Nuestra America, përcjell A2CNN.

Dy anijet janë pjesë e këtij konvoji, një përpjekje më e gjerë nga baza qytetare për të dërguar ushqime, ilaçe, qumësht për foshnja dhe furnizime të tjera në ishullin më të madh të Karaibeve, në kushtet e një bllokade amerikane ndaj dërgesave të naftës dhe furnizimeve të tjera, e cila ka përkeqësuar ndërprerjet e energjisë dhe ka detyruar shtetin të kufizojë shërbimet.

“Anijet po vazhdojnë udhëtimin drejt Havanës,” tha zëdhënësi për Reuters. “Konvoji mbetet në rrugën e duhur për të përfunduar misionin, duke dorëzuar ndihma humanitare urgjente për popullin kuban.”

Varkat me vela u zhdukën pasi u nisën nga Isla Mujeres në Meksikë të shtunën e kaluar dhe pritej të mbërrinin në kryeqytetin kuban, Havana, mes datave 24 dhe 25 mars.

Zëdhënësi nuk dha menjëherë arsye për zhdukjen e tyre.

Roja Bregdetare e SHBA-së fillimisht i tha agjencisë franceze AFP të premten se anijet ishin gjetur, por më pas e tërhoqi deklaratën, duke thënë se kërkimet ende vazhdonin, gjë që shkaktoi konfuzion.

Koalicioni Nuestra America përfshin rreth 300 organizata nga më shumë se 30 vende, përfshirë organizata joqeveritare, sindikata, parti politike dhe ligjvënës.

Grupi ka dërguar tashmë rreth 20 ton ndihma në Kubë, si me rrugë ajrore ashtu edhe detare, përfshirë ushqime, ilaçe, panele diellore dhe biçikleta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos