Azilkërkuesit në Britaninë e Madhe mund të detyrohen t’i kthejnë shtetit deri në 10 mijë paund, për shpenzimet e akomodimit dhe mbështetjes bazë që kanë marrë, përpara se të kenë të drejtën të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme.
Këtë e bëri të ditur qeveria britanike, në kuadër të masave të reja për të frenuar emigracionin e paligjshëm, shkruan A2 CNN. Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, deklaroi se azili është një e drejtë, por edhe një përgjegjësi, duke theksuar se ata që kanë mundësi financiare duhet t’ia kthejnë shtetit mbështetjen e marrë.
Sipas propozimit, detyrimi për pagesë do të vlejë vetëm për të rriturit që kanë mundësi ekonomike, ndërsa fëmijët do të përjashtohen dhe do të vendosen masa mbrojtëse, në mënyrë që askush të mos mbetet pa mjete jetese. Rregullat nuk do të zbatohen për rastet e kaluara.
Qeveria britanike vlerëson se strehimi i një azilkërkuesi kushton mesatarisht 23 paund në natë në banesa të përkohshme dhe 144 paund në hotele, pa përfshirë ndihmën javore për jetesë. Vitin e kaluar, shpenzimet totale për akomodimin dhe mbështetjen e azilkërkuesve arritën në rreth 4 miliardë paund.
Masat e reja vijnë në një kohë kur emigracioni mbetet një nga çështjet më të debatueshme në Britaninë e Madhe, ndërsa qeveria laburiste po përballet me presion të shtuar për të ashpërsuar politikat e saj në këtë fushë.
Sipas një raporti të ri, më shumë se 4 300 prej emigrantëve të deportuar janë rikthyer sërish në Britaninë e Madhe nga viti 2021 deri në vitin 2025, duke nxitur debate mbi efikasitetin e sistemit të deportimit.
Sipas raportit, shqiptarët përbëjnë grupin më të madh, me më shumë se një të tretën e të gjitha rasteve të rikthimit. (A2 Televizion)