Një masiv shkëmbor me përmasa të mëdha është shkëputur nga mali San Martino në Itali, i njohur nga banorët si “Monte marcio”, duke rënë fillimisht mbi hekurudhë dhe më pas duke u përplasur mbi rrugën automobilistike, që kalon pranë liqenit të Comos. Fatmirësisht, asnjë tren apo automjet në lëvizje nuk u përplas.
Ngjarja ndodhi mes zonave të Lecco-s dhe Abbadia Lariana-s, në vendin e quajtur Pradello. Për shkak të dëmeve të shkaktuara, linja hekurudhore u ndërpre menjëherë, ndërsa një tren që po afrohej u ndal në kohë falë ndërhyrjes së makinistit, i cili arriti ta frenonte para se të prekej nga masivi, shkruan A2 CNN.
Më shumë se 150 pasagjerë u evakuuan nga treni me ndihmën e një autoshkalle të zjarrfikësve. Ndërkohë, në rrugën automobilistike qarkullimi po zhvillohet vetëm në një korsi, duke shkaktuar vonesa të mëdha.
Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit e Lecco-s, Policia Rrugore, si dhe një ambulancë që u vendos në gatishmëri. (A2 Televizion)