
Dhunë e papranueshme është kur të maskuarit djegin pronën apo biznesin e një familjeje në qendër të Tiranës. Dhunë po aq e papranueshme është kur një klasë politike kalëron nga një aferë korruptive në tjetrën, duke shpërdoruar paranë publike. Nuk mund të dënohet njëra e të heshtet tjetra. Përballë kësaj krize politikanët e Kosovës duhet të përqendrohen në punët e tyre dhe t’i kursejnë qytetarët nga komentimi shkel e shko i situatës në Shqipëri.
Enver Robelli
I.Shqipëria po kalon një fundjavë të tmerrshme dhe me plot tensione e dhunë, përleshje mes policisë dhe demonstruesve, kryesisht të dhunshëm e të maskuar. Cilat mësime mund të nxirren?
Nuk është vetëm policia përgjegjëse në situata të jashtëzakonshme. Ajo, gjithsesi, ka për detyrë të përdorë forcë proporcionale dhe ta deeskalojë situatën kudo që është e mundur, edhe përballë demonstratave të dhunshme. Ditëve të fundit kemi parë shembuj të sjelljes joprofesionale të policëve në Tiranë. Madje, disa prej këtyre sjelljeve kanë qenë banditeske.
Por dhuna e verbër dhe e shfrenuar e njerëzve të maskuar, kremtimi i piromanisë si spektakël, sulmet ndaj pronave private, shkatërrimi i pronës publike dhe mungesa e thirrjeve për qetësi nga liderët e opozitës, ndërkohë që pushtetarët luajnë rolin e azganbudallës, rrezikojnë ta çojnë Shqipërinë edhe më pranë greminës.
Në këtë situatë, të gjithë politikanët kanë përgjegjësi të gjejnë një zgjidhje politike përmes dialogut. Dialogu zhvillohet me njerëz të identifikueshëm, jo me maska. Por, nga ana tjetër, dialog mund të zhvillojë vetëm një qeveri që nuk tallet me qytetarët. Që nga fundi i majit qeveria është tallur me shqetësimet e qytetarëve.
Arsyet e këtij erupsioni të dhunës gjenden brenda Shqipërisë. Kush i hesht ato, nuk ndihmon në zgjidhjen e kësaj drame, por vetëm hedh benzinë në zjarr. Sa më shumë të shpërfillen arsyet e pakënaqësisë dhe sa më të pashpresa të jenë përpjekjet për të shpikur vetëm një «armik të jashtëm» si shkaktar të dëmeve që po pëson Shqipëria, aq më e vështirë do të bëhet zgjidhja e krizës që e ka përfshirë vendin.
Dhuna e ushtruar nga njerëzit e maskuar është e neveritshme dhe duhet të dënohet e të hidhet poshtë. Por dhjetëra e dhjetëra afera korruptive të qeverisë - çfarë ishin ato? A nuk ishin edhe ato dhunë?
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se pushteti duhet e mund të merret me rrugë jodemokratike, larg qoftë me maska.
Kur askush nuk e artikulon zemërimin me nocione politike, do të shfaqen grupe që ndjekin agjenda private, ideologjike apo fetare, me tendencë për devijim të protestës për interesa ekstremiste.
Fatkeqësia e Shqipërisë është personalizimi i pushtetit: kur një njeri vendos për gjithçka, kur deputetët e partisë së tij nuk ia kufizojnë pushtetin dhe nuk i kërkojnë llogari për gabimet, rezultati fatal është deliri i madhështisë.
Një fatkeqësi rrallëherë vjen e vetme. Kjo dhunë është edhe pasojë e mungesës së një opozite të fuqishme dhe kredibile. Opozita mbetet peng i një njeriu, i cili, përveç zhurmës dhe kujtimeve mbi llahtaritë e së kaluarës, nuk simbolizon asgjë tjetër.
Shqipëria ka nevojë prej kohësh për liderë të rinj në të dyja partitë kryesore. Dhe kushdo që ka ambicie politike, momenti për t'u angazhuar është tani. Pa maska, me program politik. Pastaj gara mund të fillojë - është çështje e marrëveshjes mes palëve si bëhet kjo: me një qeveri teknike deri në zgjedhje të parakohshme apo modele të tjera. Këtë situatë e ka prodhuar politika (e keqe) dhe mund ta zgjidhë vetëm politika (racionale)
II.Politikanët e Kosovës - përfshirë edhe deputetët - është mirë të përqendrohen në punët e tyre dhe t’i kursejnë qytetarët nga komentimi shkel e shko i situatës në Shqipëri.
Legjislatura në Kosovë ka filluar. Këqyrni cilat çështje doni t’i shtyni përpara dhe cilat projekte kërkoni t’i realizojë qeveria, në mënyrë që jeta e qytetarëve të bëhet më e mirë dhe më e përballueshme.
Kjo vlen sidomos për deputetët e pushtetit: ju keni përgjegjësinë kryesore. Askush nuk ka nevojë për heroizmat tuaj në rrjetet sociale. Lexoni ligje, propozoni reforma, mësoni nga përvojat e shteteve të tjera, specializohuni në fusha të caktuara dhe kësisoj fitoni kompetencën për të dhënë mendime të kualifikuara. Kjo kërkohet nga deputeti. Jo vjersha të Gjergj Fishtës. Ato na i reciton tash vetë Gjergj Fishta, i ringjallur nga inteligjenca artificiale.
Shqetësimi për zhvillimet në Shqipëri është legjitim, sepse, kur Shqipëria rrëshqet në krizë e kaos, ky është lajm i keq për çdo shqiptar.
Por politikanët e Kosovës është mirë të përqendrohen në zgjidhjen e halleve të qytetarëve të Kosovës. Shkoni më shpesh në dyqane, shikoni çmimet e artikujve dhe pyesni veten: a ia del një mësues me familje katëranëtarëshe të sigurojë një jetesë të dinjitetshme me rrogën e tij? Këqyrni pak mungesën e barnave në spitale. Këqyrni ndotjen e ambientit. Këqyrni…
Mbi të gjitha, si deputetë, mos tentoni t’i serviloseni liderit, por kërkoni përgjegjësi e llogaridhënie nga çdo anëtar i qeverisë. Pse nuk po realizohet një projekt? Pse nuk ka përparim në fusha të caktuara? Pse Kosova renditet aq keq në PISA? Pse jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë Kosovën, njerëzve ua zë frymën bërlloku? Pse nuk ka planifikim hapësinor që e meriton këtë emër?
Mijëra pyetje presin përgjigje! Dhe përgjigjet duhet t’i kërkojnë ata që populli i ka dërguar në parlament.
(A2 Televizion)