Maskohet si avokat dhe vret në sallën e gjyqit bosin e bandës kriminale

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2025, 13:31 | Bota

Maskohet si avokat dhe vret në sallën e gjyqit bosin e bandës

Udhëheqës i njohur i një bande në Sri Lanka, Sanjeewa Kumara Samararathne, është vrarë brenda një gjykate në kryeqytetin Colombo. Ai u qëllua me armë nga një person i maskuar si avokat, i cili kishte futur një revolver brenda një libri. Sipas policisë, armën e kishte sjellë një grua 25-vjeçare, shkruan A2 CNN.

Samararathne, i njohur si Ganemulle Sanjeewa, ishte arrestuar në shtator 2023 dhe ndodhej në paraburgim për akuza të shumta, përshirë vrasje. Ai ishte shoqëruar në gjykatë nga një grup prej 12 policësh kur u qëllua. Edhe pse u transportua menjëherë në spital, u shpall i vdekur atje.

Autori i krimit fillimisht arriti të arratisej, por u arrestua më vonë nga policia. Po ashtu, është arrestuar një polic dhe një drejtues furgoni, të dyshuar se ndihmuan atentatorin.

Kjo ngjarje ka ngjallur shqetësime për sigurinë në gjykata, dhe qeveria ka njoftuar masa të reja sigurie, duke përfshirë dislokimin e rojeve të armatosura për raste të veçanta. Këtë vit, sipas të dhënave policore, të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e rivalitetit mes bandave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos