Marshime në 100 qytete janë zhvilluar të Italisë dhe sheshe të mbushura plot për protestën në mbështetje të Flotiljes dhe popullit të Gazës. Përleshje dhe tensione shpërthyen nga Torino në Milano, nga Bolonja në Ferrara, midis protestuesve dhe forcave të rendit në ditën e grevës së përgjithshme për Gazën dhe Flotiljen Palestineze. Thirrja e tubimit për Palestinën është "Bllokoni gjithçka". Protestuesit po hedhin objekte dhe gurë dhe policia po përgjigjet me gaz lotsjellës. Rrugët janë bllokuar në disa qytete, ndërsa transporti po përjeton ndërprerje, veçanërisht për trenat, me vonesa dhe anulime. Në Piza, protestuesit pushtuan pistën e aeroportit, ndërsa fluturimet janë pezulluar.
Mediat italiane bëjnë të ditur se tensioni është i lartë në Bolonjë, ku janë raportuar incidente që nga mbrëmja e së enjtes, dhe një protestues i goditur nga një bombol gazi lotsjellës rrezikon të humbasë njërin sy. Në zonën e Bolonjës, autostrada A14 midis Borgo Panigale dhe San Lazzaro është mbyllur, ndërsa portet e Livornos dhe Napolit janë bllokuar, duke ndikuar në lidhjet me ishujt. Protestat në qytete janë intensifikuar këtë pasdite.
Pas demonstratave pro-palestineze në të gjithë Italinë , me universitete të pushtuara, linja treni të bllokuara dhe përplasje, sindikatat kanë bërë thirrje për një protestë të bashkuar.
"Mobilizimi i sotëm ishte një sukses: më shumë se 2 milionë njerëz dolën në rrugë për të marrë pjesë në marshimet e mbajtura në mbi 100 qytete italiane për grevën e përgjithshme kombëtare në mbrojtje të Flotiljes, të vlerave kushtetuese, për të ndaluar gjenocidin dhe në mbështetje të popullit të Gazës. 300,000 njerëz marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit", njoftoi CGIL në një deklaratë. "Sipas të dhënave të marra deri më tani pjesëmarrja mesatare kombëtare në grevën e përgjithshme është rreth 60%", vazhdoi sindikata.
Deklarata e sindikatës thekson se dita "u karakterizua nga një atmosferë paqësore dhe demokratike. Punëtorët, qytetarët dhe studentët ngritën zërin e tyre në mbështetje të Flotiljes Globale Sumud dhe në solidaritet me aktivistët e arrestuar, për paqe dhe për të riafirmuar të drejtën ndërkombëtare. Mobilizimi vazhdon. Takimi i radhës do të jetë në Romë për demonstratën kombëtare më 25 tetor".
Demonstratat e sotme panë "pjesëmarrjen e jashtëzakonshme dhe të pashembullt të të rinjve, të cilët kërkojnë një të ardhme paqeje dhe drejtësie sociale, me punësim të qëndrueshëm dhe një luftë kundër punësimit të pasigurt". Ky ishte komenti i Sekretarit të CGIL, Maurizio Landini, pas lajmit se mbi 2 milionë njerëz ishin bashkuar në demonstrata.
(A2 Televizion)