Elisabeth Kaiser vjen nga Gera në landin lindore të Turingisë. Përfaqësuesja e Qeverisë për landet lindore ka lindur në vitin 1987, kur Gjermania ishte ende e ndarë. Por vetëm dy vjet më vonë ra Muri i Berlinit, ndërsa më 3 tetor 1990, Gjermania Lindore (RDGJ) komuniste bëri historinë dhe u bashkua me pjesën perëndimore të vendit.
"Nuk e përjetova në mënyrë të vetëdijshme periudhën e ribashkimit, por u formova nga historitë që më treguan prindërit dhe gjyshërit e mi", shkruan Kaiser në raportin e saj vjetor, të paraqitur në Berlin me rastin e Ditës së Ribashkimit.
Është hera e parë për socialdemokraten 38-vjeçare, pasi ajo ka marrë këtë detyrë në maj, kur u formua qeveria e re federale.
A janë të rinjtë të bashkuar?
Në raport, shkencëtarja politike dhe sociologia Kaiser përqendrohet në pyetjen se si e përjetojnë të rinjtë Gjermaninë. Vetë titulli, "Të rritesh në unitet?" sugjeron se dallimet midis Perëndimit dhe Lindjes ende ekzistojnë.
Formalisht, përgjigjja është "po", sepse ekziston vetëm një shtet gjerman. "Ne, fëmijët e fundit të viteve 1980 dhe 1990, jemi brezi i parë që u socializua në një Gjermani të bashkuar”, shkruan Kaiser në parathënien e raportit.
"Megjithatë, për të rinjtë që rriten atje, ‘Lindja' është ende shumë më tepër sesa një term gjeografik. Është një hapësirë që formëson identitetet dhe ndikon në biografi”, thekson ajo.
Identiteti i Gjermanisë Lindore më i theksuar
Kaiser, e cila studioi në Universitetin e Potsdamit në landin lindor të Brandenburgut, vëren dallime krahasuar me të rinjtë në perëndim.
"Shumë të rinj që vijnë nga territori perëndimor i Gjermanisë nuk mund të identifikohen me etiketën e Gjermanisë Perëndimore - veçanërisht nëse jetojnë në bregdet ose pranë Alpeve. Në të kundërt, të rinjtë gjermanë lindorë kanë shumë më tepër gjasa të identifikohen si me origjinën nga lindja”, thotë ajo.
Nga perspektiva e Përfaqësueses për landet lindore, ka arsye të mira për këtë. Edhe pse të rinjtë gjermanë janë rritur në të njëjtin vend për tre dekada e gjysmë, kushtet në të cilat ata rriten ende ndryshojnë ndjeshëm. "Kjo është veçanërisht e qartë në zonat jashtë metropoleve të Gjermanisë lindore."
Të ardhura më të ulëta, më shumë ndihmë sociale
Kaiser i referohet të ashtuquajturit Raport për Barazinë i qeverisë federale. Ai tregon se në qytetet më të vogla dhe zonat rurale në lindje, transporti publik dhe kujdesi shëndetësor nuk ofrohen më plotësisht. Përveç kësaj, njerëzit atje fitojnë paga nën mesataren dhe janë më të varur nga përfitimet sociale sesa në pjesët tjera të vendit.
"Mirëqenia është më e ulët në lindje sesa në perëndim," shton Kaiser. Përveç kësaj, plakja e popullsisë në zonat rurale të Gjermanisë lindore është shumë më e theksuar. Përqindja e të rinjve është shumë më poshtë mesatares kombëtare.
Sipas saj, ata mund të mbështeten në mbështetjen financiare nga prindërit e tyre shumë më rrallë sesa bashkëmoshatarët e tyre në Gjermaninë perëndimore.
Perëndimi i pasur, Lindja e varfër
Kur prezantoi raportin, Kaiser e shpjegoi këtë aspekt me shumë detaje: "Deri më sot, të rinjtë në lindje janë në disavantazh sepse pasuria kalohet kryesisht përmes trashëgimisë."
Shifrat nga Zyra Federale e Statistikave për vitin 2024 e tregojnë qartë këtë: në landet perëndimore, u tatuan më shumë se 106 miliardë euro në trashëgimi ose dhurata, ndërsa në lindje, përfshirë Berlinin, shifra ishte më pak se 7 miliardë euro.
Për frymë, kjo është pothuajse katër herë më shumë në Perëndim - pak më pak se 1,600 euro, krahasuar me vetëm 400 euro në lindje. Ajo i konsideron këto dallime problematike dhe shton se debati mbi reformën e taksës së trashëgimisë nuk është një ide e keqe.
"Dhuratë" shtetërore prej 20,000 eurosh për të gjithë?
Lidhur me këtë temë, Kaiser mbështetet në propozimet e mëparshme nga ekspertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW): shteti duhet t'u paguajë të gjithë të rinjve një lloj "trashëgimie" prej 20,000 eurosh.
Kjo mund të përdoret, për shembull, për të financuar arsimin, për të filluar një biznes ose për të investuar në pasuri të paluajtshme.
Fondacioni "Trashëgimi për të Gjithë” e konsideron idenë të realizueshme dhe të qëndrueshme financiarisht: "Do të paguhej nga një fond i mbushur me një taksë të vogël mbi trashëgimitë e mëdha”, thuhet në faqen e tyre të internetit. Sipas llogaritjeve të tyre, pesë përqind e taksës vjetore të trashëgimisë do të ishte e mjaftueshme për ta realizuar idenë.
Çementimi i pabarazisë në pasuri
Megjithatë, Kaiser është e vetëdijshme se debati mbi reformën e taksës së trashëgimisë është një çështje e ndjeshme brenda koalicionit qeverisës. Ka njëfarë mbështetjeje në partinë e saj SPD, por pothuajse askush në Kristiandemokratët e Kancelarit Friedrich Merz nuk është i gatshëm ta mbështesë këtë ide.
Kjo është arsyeja pse, edhe 35 vjet pas ribashkimit, ndryshimet e rëndësishme financiare midis lindjes dhe perëndimit nuk ka gjasa të ndryshojnë së shpejti.
Vlerësimi i përgjithshëm i Elisabeth Kaiser është, i përzier: Gjermania Lindore është zhvilluar mirë në shumë fusha, ekonomia është rritur, ka një skenë të gjallë të startup-eve, Lindja është një pioniere në zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.
Por asnjë nga këto nuk do të jetë e mjaftueshme në planin afatgjatë për të mbyllur hendekun me Perëndimin. Kjo do të bëhet edhe më e vështirë për shkak të popullsisë që po plaket me shpejtësi në Lindje dhe emigrimit të shumë të rinjve nga ato rajone.
Largimi nga Lindja
Duke përjashtuar Berlinin, Lindja e vendit ka humbur rreth dy milionë banorë që nga ribashkimi në vitin 1990 - një rënie prej 16 përqind e popullatës së përgjithshme. Sot, pesë landet lindore së bashku kanë gjithësej rreth 12.5 milionë banorë.
Gjatë së njëjtës periudhë, popullsia e Gjermanisë perëndimore është rritur me dhjetë përqind - në gati 68 milionë banorë./ DW (A2 Televizion)