Ka përfunduar takimi virtual i udhëheqësve evropianë me Volodymyr Zelensky-n, në atë që i ngjante një parapërgatitje për takimin e me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Grupit të udhëheqësve evropianë, i cili ka për qëllim bashkimin e vendeve për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë, iu bashkua Zelensky nga Brukseli.
Ministri i jashtëm polak Radoslaw Sikorski ishte i pari që komentoi pas përfundimit të takimit. Ai tha se gjatë takimit, Varshava theksoi se që të vijë paqja, duhet të ushtrohet presion mbi agresorin, jo mbi viktimën.
Edhe Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, tha se i tha grupit se "nëse nuk arrihet një armëpushim, BE dhe SHBA duhet të rrisin presionin mbi Rusinë".
"E drejta sovrane e Ukrainës për të përcaktuar kushtet e saj për paqe duhet të respektohet", shtoi ai në një postim në X.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se "ekziston një konsensus i fortë midis vendeve të koalicionit mbi nevojën për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës."
Kryeministri çek Petr Fiala tha se koalicioni ra dakord që përparësia e menjëhershme duhet të jetë dhënia fund e vrasjeve.
Sakaq, Presidenti ukrainas, ka trajtuar një mundësi të paraqitur nga i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff.
Witkoff tha më herët gjatë ditës se Putin ka rënë dakord t'u lejojë aleatëve të Ukrainës, përfshirë SHBA-në, që t'i ofrojnë asaj një garanci sigurie.
Referuar kësaj deklarate, Zelensky tha në një postim në X se “është një vendim historik që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën”.
"Garancitë e sigurisë, si rezultat i punës sonë të përbashkët, duhet të jenë vërtet shumë praktike, duke ofruar mbrojtje në tokë, në ajër dhe në det, dhe duhet të zhvillohen me pjesëmarrjen e Evropës”, shtoi ai. (A2 Televizion)