Më pak se 100 ditë nga votimi i presidencialeve në SHBA, Harris dhe Trump synojnë shtetet vendimtare

Nga Xhevahir Qardaku
29 Korrik 2024, 11:22 | Bota

Sprinti final për Shtëpinë e Bardhë ka nisur. Donald Trump dhe Kamala Harris kanë më pak se 100 ditë para votimit për president.

“Kemi një kandidate të re për të mposhtur: zëvendëspresidenten më të paaftë, më të papëlqyer dhe më të majtë në historinë amerikane”, u shpreh Trump.

“Le të jemi të qartë, ne kemi një luftë përpara nesh”, tha Kamala Harris, Zëvendës Presidente.

Panorama politike u ndryshua plotësisht kur presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara. Në 7 ditët pasuese, Harris ka bashkuar partinë demokrate përreth saj. Ekipi i fushatës njoftoi se ajo ka mbledhur 200 milionë dollarë. Sondazhet tregojnë se sfida po ngushtohet mes Harris dhe ish presidentit, teksa të dy u drejtohen shteteve vendimtare këtë javë. Trump dhe bashkëgaruesi J.D Vance shtuan sulmet ndaj rivales.

“Ajo është e së majtës radikale, një lunatike. Ajo është djallëzore”, u shpreh Trump.

“Ndoshta një nga gjërat më të këqija dhe më të pandershme që ka bërë Kamala Harris, është se ndihmoi në mbulimin e paaftësisë mendore të Biden për vite me radhë”, tha J.D Vance, kandidat për nënpresident.

Një pyetje mbetet pa përgjigje… kush do të garojë bashkë me Kamalën. Një nga emrat e lakuar është sekretari për transportin që vazhdimisht sulmon Trump.

“Ai e theu premtimin për atë lloj rritjeje ekonomike. Ai theu premtimin e tij për të miratuar një projektligj për infrastrukturën, apo jo. Ai tha se do ta bënte këtë. Ai nuk arriti ta bëjë”, u shpreh Pete Buttigieg, sekretar i Departamentit të Transportit.

Kandidatët e tjerë janë: guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, senatori i Arizonës, Mark Kelly dhe guvernatori i Kentakit, Any Beshear. Ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder po kryeson procesin e vetingut teksa Konventa e Demokratëve do të nisë për 3 javë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos