Protestat kundër turizmit kanë përfshirë Europën, këtë verë, me demonstrata që u zhvilluan në Holandë, Greqi dhe kulmuan në Spanjë. Në fillim të korrikut, protestuesit marshuan nëpër zonat e njohura turistike në qytetin spanjoll të Barcelonës duke spërkatur vizitorët me pistoleta uji, ndërsa brohoritnin: "Turistë shkoni në shtëpi!”. Së fundmi, mijëra persona protestuan në ishullin spanjoll të Mallorca-s, me pretendimin se modeli i turizmit të ishullit "varfëron punëtorët dhe pasuron vetëm disa".
Në qendër të protestave është çështja e rritjes së qirave dhe çmimeve të banesave, gjë që e ka bërë pothuajse të pamundur blerjen e shtëpive për disa banorë vendas. Në Barcelonë, qiratë janë rritur me 68% gjatë dekadës së fundit, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Jaume Collboni dhe për këtë vendasit fajësojnë turizmin masiv.
Në disa qytete europiane, autoritetet po ndërmarrin veprime të guximshme në një përpjekje për të vënë nën kontroll nivelet e turizmit. Zyrtarët në Venecia kanë vendosur një tarifë të përkohshme hyrjeje për të rregulluar numrin e turistëve. Tarifa e re turistike prej 5 eurosh, e cila ka filluar që më 25 prill, ka sjellë më shumë se 2.4 milionë euro. Turizmi masiv ka bërë që shërbimet e kujdesit shëndetësor të mbyllen, dyqanet e lagjeve të zëvendësohen nga dyqanet e suvenireve dhe çmimet e banesave të rriten ndjeshëm edhe në Venecia.
Nuk janë vetëm çështjet e strehimit që kanë sjellë reagime kundër turistëve, pasi edhe sjellja mosrespektuese e turistëve ka luajtur rol. Në Firence, një grua u filmua së fundmi duke u puthur dhe duke kryer akte të pahijshme me një statujë. Edhe në vitin 2023, një turist u akuzua për dëmtimin e një statuje në Piazza della Signoria. Në të njëjtin vit, në një pjesë tjetër të Italisë, një grup turistësh u akuzuan për rrëzimin e një statuje. Sjellja e keqe turistike ka qenë një problem edhe në pjesë të tjera të Evropës, duke përfshirë Barcelonën, Mallorca, Magaluf dhe Benidorm.
(A2 Televizion)