Papa Françesku ka zhvilluar një vizitë të papritur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke habitur besimtarët dhe restauruesit e pranishëm. Vizita ndodhi të enjten, pak para orës 13:00, kur Ati i Shenjtë u ndal në altarin e Pio X dhe më pas vëzhgoi monumentet mortore të Papëve Paolo III dhe Urbano VIII, të cilët janë restauruar së fundmi.
E veçanta e kësaj daljeje publike ishte veshja e Papës. Ai u shfaq pa veshjen e tij tradicionale papale, por me një një batanije për ta mbrojtur nga i ftohti, dhe pantallona të zeza.
Në video e foto të publikuara, Papa duket në karrigen me rrota, me tubat e oksigjenit dhe i shoqëruar nga infermieri i tij, Massimiliano Strappetti. Gjatë vizitës, Papa përshëndeti besimtarët dhe takoi një fëmijë. Papa shtrëngoi dorën e një restauratoreje, e cila kërkoi ndjesë që kishte duart e ftohta, por Papa iu përgjigj me përzemërsi.
At Enzo Fortunato e komentoi ngjarjen si një tjetër shembull të Papës së surprizave. “Janë shenja të një përmirësimi të gjendjes së tij dhe të dëshirës për të qenë pranë njerëzve”, tha ai.
Kjo dalje befasuese e Françeskut vjen pas pjesëmarrjes së Papës në meshën e Jubileut të të Sëmurëve të dielën dhe takimit të tij me mbretin Charles dhe mbretëreshën Camilla të mërkurën.
Sipas burimeve nga Vatikani, gjithçka tregon se Papa po përgatitet për ritet e Pashkës dhe nuk dëshiron të jetë vetëm përpara televizorit. Edhe pse nuk pritet të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë, ai mund të jetë i pranishëm në një mënyrë të veçantë, përfshirë edhe meshën e të Enjtes së Shenjtë, e cila ende nuk është bërë publike në kalendarin zyrtar. (A2 Televizion)