Rusia provon që të minimizojë pasojat katastrofike të sulmit në rajonin Sumi të Ukrainës, ku u vranë 34 civilë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, thotë se ushtria ruse godet vetëm shënjestra ushtarake.
Ndërsa ministria e mbrojtjes konfirmon se në sulmin raketor në Sumi ishte objektiv një mbledhje e disa zyrtarëve të Ukrainës dhe se aty janë vrarë 60 ushtarakë.
Moska akuzon Kievin se po përdor popullatën civile si mburojë njerëzore duke organizuar evente në qytete me popullsi të lartë.
Kremlini akuzon vendet europiane se po kërkojnë tensione dhe një luftë të madhe mes Rusisë dhe Ukrainës. Zëdhënësi Peskov pretendon se kancelari i ri gjerman, Fridrish Merc, me dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë do të ashpërsojë edhe më shumë konfliktin.
Madje zëvendës drejtori i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Dmitri Medvedev, e ka quajtur liderin gjerman “një nazist”.
“Merc ka rënë në kujtimet e babait të tij që ka shërbyer në ushtrinë e Hitlerit”, theksoi ish presidenti rus. (A2 Televizion)