Pas një vale protestash, parlamenti ukrainas miratoi një ligj që rivendoste pavarësinë e dy agjencive antikorrupsion. Presidenti Volodymyr Zelensky e paraqiti projektligjin pas protestave, kryesisht nga të rinjtë në qytetet kryesore të Ukrainës, kundër një ligji të diskutueshëm të miratuar më parë. Presioni nga shtetet perëndimore dhe Bashkimi Evropian mbi Zelensky ishte thelbësor për ndryshimin e ligjit.
Ligjvënësit votuan me 331 vota pro dhe 0 kundër në favor të projektligjit të ri të paraqitur nga Zelenskiy, i cili përmbys masat që i kishin dhënë prokurorit të përgjithshëm të zgjedhur prej tij fuqinë për të transferuar çështjet nga agjencitë dhe për të ricaktuar prokurorët. Kritikët pretenduan se ky hap ishte hartuar për të mbrojtur aleatët e tij politikë nga ndjekja penale. Zhdukja e korrupsionit dhe mbështetja e sundimit të ligjit janë kërkesa kyçe që Kievi të anëtarësohet në BE, të cilat ukrainasit i shohin si kritike për të ardhmen e tyre, ndërsa po i kundërvihen një pushtimi rus.
Protestat u shkaktuan nga një ligj i miratuar me nxitim të mërkurën e kaluar. Ky ligj në fakt i vendosi Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrën e Prokurorit Kundër Korrupsionit (SAPO) nën autoritetin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Të dyja agjencitë e mbështesin ligjin e ri.
Demonstratat vazhduan edhe pasi Zelenskiy paraqiti projektligjin e ri, me qindra njerëz që u mblodhën pranë administratës presidenciale në Kiev vonë të mërkurën duke brohoritur "Turp!" dhe "Populli është pushteti!".
Ligji i ri rikthen pavarësinë e të dy agjencive. Megjithatë, punonjësit me qasje në sekretet shtetërore tani do të duhet t'i nënshtrohen testeve të rregullta të poligrafit. Ata do të pyeten për bashkëpunim të mundshëm me Rusinë, armikun e tyre në luftë.
Ukraina e varfër, së bashku me prokurorinë dhe policinë, mirëmban një sistem agjencish antikorrupsion të kërkuar nga Perëndimi. Pavarësisht autoriteteve të sapokrijuara pas grushtit të shtetit pro-perëndimor në vitin 2014, vendi mbetet një nga shtetet më të korruptuara në Evropë, sipas organizatës joqeveritare Transparency International. (A2 Televizion)