Nga mielli e buka te qumështi apo orizi, bashkë me vezët, zarzavatet dhe ushqimet e bebeve...
Për herë të parë që nga viti 1996, qeveria do të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për 54 produkte ushqimore bazë. Nga 20 për qind, TVSH-ja do të bëhet 6 për qind.
“Është një ndërhyrje që, në parim, synon të lehtësojë barrën e konsumit për familjet, sidomos për ato me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit për ushqime. Por efekti duhet parë në raport me mënyrën se si funksionon zinxhiri i furnizimit dhe me hapësirën që kanë tregtarët për të ndryshuar çmimet. Nuk mjafton vetëm ndryshimi i normës tatimore për të garantuar të njëjtin përfitim për konsumatorin.”
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është taksë fundore që paguhet për çdo produkt që blihet. Me këtë ulje të propozuar, automatikisht, çdo produkt ushqimor duhet të na kushtojë 14 për qind më pak nga viti 2027. Po sa do të reflektohet kjo te ulja e çmimeve për konsumatorët?
“Pika më e rëndësishme është se kush do ta përthithë këtë diferencë. Nëse konkurrenca në treg është e fortë dhe ka transparencë në formimin e çmimeve, atëherë ka më shumë mundësi që përfitimi t’i kalojë konsumatorit. Në të kundërt, një pjesë e kësaj hapësire mund të mbetet në hallkat e tregtimit, ndaj do të jetë e nevojshme të monitorohet sjellja e çmimeve përpara dhe pas hyrjes në fuqi të masës.”
Por, nëse për ushqimet që do të përfshihen në taksën e ulur të TVSH-së do të duhet të ketë një ulje të çmimit, të gjitha produktet e tjera, por edhe shërbimet, pritet të pësojnë një shtrenjtim. Sipas paketës fiskale, norma e përgjithshme e TVSH-së do të rritet me një pikë përqindjeje, duke shkuar në 21 për qind.
“Kur ndryshon norma standarde, ndikimi nuk kufizohet vetëm te një kategori produktesh, por mund të përhapet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Bizneset do të duhet të vendosin nëse këtë kosto shtesë do ta përballojnë përmes marzheve të tyre apo do ta transferojnë te çmimi final. Për këtë arsye, bilanci i paketës duhet vlerësuar në tërësi, duke parë jo vetëm lehtësimin për disa produkte, por edhe kostot që mund të krijohen në pjesën tjetër të tregut.”
Nga ndryshimet që lidhen me TVSH-në preket edhe turizmi, të cilit i reduktohen privilegjet. Për hotelet me 5 yje, agroturizmat dhe furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, nga 6 për qind që ky tatim është në fuqi prej vitit 2019, propozohet të rritet në 10 për qind.
(A2 Televizion)