
Gazetari Artan Hoxha zbuloi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN se ka patur një komunikim telefonik me ministren e Jashtme, Elisa Spiropali sapo i është komunikuar masa “non grata” nga autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
“Kam pasur vetëm një telefonatë me ministren e Jashtme, të cilën e kam njoftuar të parën në fakt sa më ka ndodhur kjo gjë. Më ka thënë që kam ngritur një ekip, po merret me këtë çështje. Ambasadës në Athinë ata nuk i kanë dhënë një përgjigje, siç më tha ministrja. Në anën tjetër më tha se kjo është një çështje që autoritetet greke kanë një qëndrim edhe në të kaluarën, problematik. Megjithatë unë kërkova që Republika e Shqipërisë të tregojë minimalisht integritetet dhe një vend që aspiron të hyjë në BE”, zbuloi Hoxha në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Në vijim, gazetari sqaroi se shpallja nga Greqia si i padëshiruar është një vendim me dimension politik dhe nuk vjen për faktin se ai mund të ketë kryer shkelje ligjore në territorin helen, por për faktin se ka mbrojtur Shqipërinë në situata të caktuara siç është edhe debatit mbi kufirin detar.
“Dimensioni është politik. Atë që bën autoritetet greke ndaj meje nuk e kanë bërë thjesht ndaj qytetarit Artan Hoxha, Unë jam askushi, por e bën si një mesazh të qartë për kolegët e të tjerë pas meje, që nëse guxoni të pengoni interesat tona, pra interesat e Greqisë në territorin e Shqipërisë, pasojat do të bien mbi ju. Dhe unë jam një njeri që jam penalizuar jo se ka ndonjë çështje penale për mua në Greqi, por jam penalizuar për qëndrimet që kam mbajtur në favor të vendit tim, të simboleve të vendit tim, të bashkëqytetarëve të mi. Pra unë kam mbrojtur Shqipërinë, nuk kam cenuar Greqinë. Unë jam marrë brenda territorit shqiptar, edhe pse çështjet që kam mbrojtur unë, përfshirë edhe kufirin detar janë çështje shumë sensitive por janë mbi materiale konkrete”, deklaroi Hoxha në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN (A2 Televizion)