Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, zbuloi shkaqet pse u shpall nga Greqia person “non grata”.
“Nuk e prisja, por nuk u habita me atë që bënë. Shkova të dielën për në Janinë, për ilaçe kryesisht pasi kam babain të sëmurë në spital. Oficeri i kufirit, më tha: po shoh këtu në sistem që kemi problem. Duhet të kalosh në vijën e dytë se s'ta jap pashaportën, duhet të shkosh atje të marrësh pashaportën. Në moment, iu ktheva, i thashë për çfarë bëhet fjalë? Nuk kam pasur ndonjë problem në Greqi. E dyta, unë jam gazetar, i thashë, dhe si rregull duhet të ma thuash se çfarë është. Kalo, tha, në vijën e dytë dhe aty duhet të japin sqarime të mëtejshme. U habita, kalova në vijën e dytë. Aty ishte një oficer tjetër, i cili bëri në fillim disa pyetje për gjeneralitetet. Kjo nuk është e rrallë sepse në Shqipëri me emër dhe mbiemër Artan Hoxha janë 186 persona dhe këtë e kam mësuar kur kam shkuar për herë të parë për të marrë vizë ambasade amerikane, se ata na numërojnë mirë, dhe ai pyeti për gjeneralitetet, për babain, për nënën, pastaj me çfarë merresh. Pastaj, pyeti: ti e ke bërë këtë historinë? Duke filluar që nga masakra e Peshkëpisë, pastaj kishte zhvarrimet e Kosinës, ato të ushtarëve grekë, pra varrezat e ushtarëve grekë, deri te ngjarjet e fundit me Kacifas dhe këto me Belerin. Ai bëri vetëm pyetje dhe duke qenë që këto janë publike, ka ndodhur edhe në vende të tjera, se nuk është vendi i parë Greqia që të ndalon. Të kemi parasysh që në kufi ka edhe një lloj shorti, në çdo 10 veta njëri kalon në vijë të dytë”, tregoi Hoxha.
“Nuk është hera e parë me Greqinë, por jo në këtë nivel. Dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se kur kalova në vijën e dytë ai më kërkoi që të lë gjurmët e gishtave dhe të bëj foto dhe retinën e syrit dhe e di shumë mirë se për çfarë duhen këto dhe atë moment i them që unë nuk jam kriminel. Unë e dyta, i thashë, nuk di të kem ndonjë proces penal në Greqi. Ai tha, “jo, nuk ka lidhje me këtë, është thjesht procedurë”. Mbarojmë me ato, më la aty në pritje dhe më tha se do të vinte ai i emigracionit. Ai në fakt bënte sikur kishte punë. Unë duke qenë se kam qenë emigrant në Greqi, flas e kuptoj e lexoj greqisht mirë, dhe ai fliste thjesht me familjarë, me miq të vet, duke më mbajtur aty në pritje dhe pastaj kaloi në atë pjesën e vet të arrogancës dhe më dha atë vendimin. Më tha “do ta firmosësh këtë”. Ne po ta komunikojmë çfarë shkruan dhe ti shpallesh njeri i padëshiruar në shtetin grek për shkak të qëndrimeve që ti i ke mbajtur dhe për shkak të rrezikut që ti përbën për rendin kushtetues në Republikën e Greqisë dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Greqisë me shtete të tjera”, shtoi Hoxha në rrëfimin e tij. (A2 Televizion)