
Izraeli nuk po kërkon një luftë të pafundme me Iranin dhe do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara për të vendosur se kur duhet të përfundojnë luftimet, tha të martën ministri i Jashtëm Gideon Saar, duke refuzuar të japë publikisht një afat se kur mund të përfundojë konflikti.
Lufta SHBA–Izrael kundër Iranit, tani në ditën e saj të 11-të, ka përfshirë të gjithë Lindjen e Mesme. Sulmet iraniane kanë goditur edhe shtete fqinje, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Izraeli po lufton edhe me Hezbollah-un në Liban dhe po kryen sulme ndaj Iranit.
“Ne do të vazhdojmë deri në momentin që ne dhe partnerët tanë të mendojmë se është e përshtatshme të ndalemi,” u tha Saar gazetarëve në Jeruszalem, së bashku me homologun e tij gjerman.
“Nuk po kërkojmë një luftë të pafundme,” tha ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi më herët në Berlin se në Europë po rritet shqetësimi për luftën dhe se duket se nuk ka një plan për ta përfunduar atë.
“Ne duam të eliminojmë, në mënyrë afatgjatë, kërcënimet ekzistenciale që Irani paraqet për Izraelin,” tha Saar në përgjigje të një pyetjeje se si do të dukej fitorja për qeverinë.
Ai e përshkroi udhëheqësin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei-n, djalin e Ajatollah Ali Khamenei-t që u vra nga ushtria izraelite në ditën e parë të luftës, si një ekstremist. Izraeli ka thënë se synon të eliminojë sundimin klerikal të Iranit duke shkatërruar programet e tij bërthamore dhe raketat balistike, si dhe duke krijuar kushte që iranianët të rrëzojnë udhëheqësit e tyre.
Saar tha se ekziston një mundësi për të krijuar kushte që iranianët “të rifitojnë lirinë e tyre”, duke pranuar se kjo mund të mos ndodhë gjatë luftës dhe mund të vijë më pas.
“Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi me rezultate të pjesshme.”
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, zyrtari i parë i lartë i huaj që viziton publikisht Izraelin që nga fillimi i luftës, tha se është i bindur se Izraeli dhe Uashingtoni janë të hapur për një zgjidhje diplomatike që mund të çojë në përfundimin e luftës.
Por çdo zgjidhje e tillë do të duhet të përfshijë marrëveshje me Iranin për programet e tij bërthamore dhe raketore, si dhe për mbështetjen ndaj milicive në rajon, kushte që sipas Wadephul, Teherani ka bërë të qartë se aktualisht nuk është i gatshëm t’i pranojë. (A2 Televizion)