Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në burgun më të sigurt të Shteteve të Bashkuara, ADX Florence në Kolorado, ku një i burgosur ka arritur të vrasë një tjetër të burgosur në mënyrë të pashpjegueshme, ndonëse të ndarë në qeli të ndryshme. Ishmael Petty, 56 vjeç, do të përballet me gjyq për vrasjen e LaMarcus Hillard, një trafikant kokaine 40-vjeçar, shkruan A2 CNN.

Ngjarja ndodhi më 19 shtator 2020, rreth orës 09:15 të mëngjesit, por mbeti e fshehtë për një kohë të gjatë dhe doli në dritë vetëm pasi Departamenti i Drejtësisë shpalli se do të kërkonte dënimin me vdekje për Petty. Ai është një kriminel i pamëshirshëm dhe i njohur për dhunën ekstreme, i dënuar më parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një tjetër të dënuari në vitin 2002, shokun e tij të qelisë, si dhe për një grabitje spektakolare të një banke në vitin 1998, ku kishte veshur uniformë policie dhe kishte vjedhur 200 mijë dollarë.
Hillard u gjet i pajetë në qelinë e tij, i mbytur me një litar të bërë nga një çarçaf i përdredhur. Autopsia tregoi se ai ishte i lidhur në duar dhe këmbë, me një mbulesë plastike mbi kokë, dhe se litari ishte futur përmes një hapjeje për ushqim midis qelive. Ky detaj ka ngritur shumë pikëpyetje se si Petty mundi të kryejë një vrasje të tillë, në një institucion që njihet për sigurinë e jashtëzakonshme ku të burgosurit kalojnë 23 orë në ditë në izolim total dhe nuk kanë asnjë kontakt fizik me të tjerët.
ADX Florence, i quajtur ndryshe "Alcatraz-i i maleve Shkëmborë", është shtëpia e kriminelëve më famëkeq të Amerikës, përfshirë Joaquín "El Chapo" Guzmán, Richard Reid, Ted Kaczynski, Dzhokhar Tsarnaev (atentatori i Maratonës së Bostonit) dhe të tjerë. Ky burg është projektuar për të qenë i paarritshëm, i izolur me beton dhe me dritare të vogla për të parandaluar orientimin hapësinor.
Por pavarësisht këtyre masave, Petty jo vetëm që ka kryer një vrasje brenda këtij burgu, por ka tentuar dhe të vrasë staf të burgut më parë. Në vitin 2013, ai vendosi një kurth për dy bibliotekarë dhe një punonjëse tjetër të burgut, të cilët kishin sjellë libra. Ai përdori një brushë dhëmbësh të mprehur si armë, kishte krijuar mburojë prej kartoni dhe filloi sulmin duke u hedhur salcë të nxehtë në fytyrë. Sulmi ishte aq i dhunshëm saqë një nga bibliotekarët mund të kishte humbur jetën, nëse një punonjëse tjetër nuk do të kishte ndërhyrë me guxim për ta ndalur.
Në gjyqin për këtë sulm, Petty pranoi krimin dhe kërkoi vetë dënimin maksimal. Ai u dënua me 60 vjet burg shtesë. Ai deklaroi në sallën e gjyqit: “Meritoj një tjetër dënim me burgim të përjetshëm. Jam dënuar pak”.
Vrasja e Hillard është vetëm e dyta në këtë burg që prej hapjes së tij në vitin 1994. Hillard, i cili ishte dënuar me 40 vjet burg për trafik droge dhe vrasje në Misisipi, u transferua në ADX Florence në vitin 2007. Rrethanat misterioze të vdekjes së tij kanë nxitur spekulime dhe shqetësime për sigurinë e burgut, por autoritetet kanë qenë të rezervuara në dhënien e detajeve të plota.
Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se, nëse shpallet fajtor, do të kërkojë dënimin me vdekje për Petty, në përputhje me politikën e re të administratës për rikthimin e ekzekutimeve federale. (A2 Televizion)