Ndryshimi i regjimit të Iranit është i papranueshëm për Rusinë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, me anë të një reagimi për mediat ka bërë me dije se “nëse Shtetet e Bashkuara përdorin armë bërthamore taktike në Iran, kjo do të jetë një katastrofë”.
Ndryshimi i regjimit në Iran është "i papranueshëm dhe i paimagjinueshëm" dhe "do të hapte kutinë e Pandorës", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me Sky News, duke thënë se Rusia do të reagonte "shumë negativisht" nëse Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do të vritej.
"Situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe e rrezikshme jo vetëm për rajonin, por edhe globalisht. Zgjerimi i numrit të pjesëmarrësve në konflikt është potencialisht edhe më i rrezikshëm. Kjo do të çojë vetëm në një raund tjetër konfrontimi dhe një përshkallëzim të tensionit në rajon", shtoi Peskov, shkruan A2.
Ndryshimi i regjimit në Iran ka pak rëndësi për Izraelin. Në deklaratën e tij të fundit, Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se obkjektivi primar i Izraelit nuk është largimi i Ajatollhut, por eleminimi i kërcënimit bërthamor.
"Objektivi ynë kryesor është të ndalojmë programin bërthamor dhe ta eliminojmë atë si një kërcënim. Qëllimi i dytë është të ndalojmë përparimin e aftësive balistike, si dhe ta eliminojmë atë si një kërcënim. Gjatë këtij procesi, është e qartë se regjimi po destabilizon - ne po godasim gjithashtu objektiva dhe qendra pushteti që lidhen me qeverinë. Por çështja e ndryshimit të regjimit, para së gjithash, varet nga populli iranian. Nuk ka rrugë të shkurtër për këtë. Prandaj, unë nuk e kam vendosur si një qëllim zyrtar ose të deklaruar - mund të jetë një rezultat, por nuk është një objektiv i qartë i operacionit tonë”, deklaroi Netanyahu.
Sakaq, edhe natën e së premtes nuk kanë munguar sulmet mes Izraelit dhe Iranit. Raportohet se pesë persona u plagosën lehtë nga një sulm me raketa iraniane në Beersheba, në jug të Izraelit. Raketa goditi disa ndërtesa apartamentesh, duke shkaktuar dëme serioze. Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se mosfunksionimi i interceptorit ka të ngjarë të jetë shkaku i dështimit për të rrëzuar raketën iraniane që goditi Beer Sheva, në jug të shtetit hebraik. Dëme të konsiderueshme kanë ndodhur edhe në një tjetër qendër spitalore në Izrael.
Nga ana e tyre, forcat Ajrore Izraelite thanë se kanë sulmuar dhjetëra objektiva në Iran. Më shumë se 60 avionë luftarakë sulmuan, ndër të tjera, objektet ushtarake të prodhimit të raketave dhe selinë e një objekti kërkimor për "projektin e armëve bërthamore" iraniane gjatë natës, tha ushtria. Sulmet vijnë kur Donald Trump, planifikon të vendosë brenda dy javëve nëse SHBA-të do të ndërhyjnë përkrah Izraelit në luftën kundër Iranit. (A2 Televizion)