Moska rinis sulmet, dhjetëra dronë e raketa mbi Ukrainë

Nga Rosalba Bejdo
21 Prill 2025, 13:59 | Bota

Zhurmat e raketave dhe dronëve zgjuan këtë të hënë Kievin dhe gjysmën lindore të Ukrainës, pasi armëpushimi i shpallur për Pashkë nga Presidenti Vladimir Putin, përfundoi.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Moska kishte lëshuar 96 dronë dhe 3 raketa gjatë sulmeve të natës, duke shkaktuar dëme në rajonet e Harkiv, Dnipropetrovsk dhe Cherkasy. Qyteti port i Mikolaivit u godit nga disa raketa. Njësitë e mbrojtjes ajrore thanë se kishin rrëzuar 42 dronë, ndërsa 47 të tjerë ishin riorientuar nga pajisje ushtarake elektronike.

Nuk pati raportime për të lënduar apo dëme të mëdha, siç bënë me dije zyrtarë të Kievit në rrjetet sociale. Si Ukraina ashtu edhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit 30-orësh, të cilin Kremlini refuzoi ta zgjaste. Uashingtoni deklaroi se do të mirëpriste një zgjatje të tij dhe Presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti disa herë vullnetin e Kievit për të pezulluar sulmet për 30 ditë.

Por, Putin i cili njoftoi në mënyrë të papritur një pushim të aktiviteteve ushtarake përgjatë fronteve të luftës deri mesnatën e së dielës, nuk urdhëroi zgjatje të këtij afati. “Nuk ka komanda të tjera”, tha agjencia e lajmeve ruse Tass, teksa citoi fjalët e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Zelensky njoftoi në orët e para të së hënës se forcat e veta ishin udhëzuar të vijonin t’i përgjigjeshin në mënyrë reciproke veprimeve të Rusisë. “Natyra e veprimeve të Ukrainës do të mbetet simetrike; armëpushimit do t’i përgjigjemi me armëpushim, ndërsa sulmet e Rusisë do të përballen me mbrojtjen tonë. Veprimet gjithmonë flasin më shumë se fjalët”, tha ai në rrjetin social X.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos