Vdekja e Papës Françeskut në orët e para të mëngjesit të së hënës ishte një tronditje për shumëkënd, sidomos pas disa daljeve publike gjatë fundjavës së Pashkëve.
Pashkët janë festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë dhe, ndonëse Françesku nuk i udhëhoqi shërbesat kryesore të Javës së Shenjtë dhe të Pashkëve, ai bëri disa paraqitje të shkurtra.
Të enjten, Papa kaloi 30 minuta në një burg në Romë.
Të shtunën në mbrëmje, ai vizitoi Bazilikën e Shën Pjetrit.
Të dielën, ai i gëzoi besimtarët pasi dha bekimin tradicional të Pashkëve nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Ai dha bekimin “Urbi et Orbi” – “Qytetit [të Romës] dhe Botës” – ndërsa një ndihmës lexoi fjalimin e tij. Vetëm Papa mund ta japë këtë bekim, i cili përfshin edhe dhënien e një indulgjence, faljen e pasojave të mëkateve. Zëri i tij dukej i dobët, por ai u shfaq pa pajisjen që përdorte për të marrë oksigjen, ndërsa tha: “Vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët”.
Më vonë, ai përshëndeti turmat që brohorisnin në Sheshin e Shën Pjetrit nga makina e tij, hera e parë që e bënte këtë që nga shtrimi i tij në spital.
Më herët të dielën e Pashkëve, para se të jepte bekimin, Françesku pati një takim privat me zv.presidentin e amerikan, JD Vance. (A2 Televizion)