
Italia po përballet me një situatë të rëndë moti këtë Krishtlindje, ku shirat e rrëmbyeshëm, erërat e forta dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut kanë vënë në alarm disa rajone. Autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në provincat e Bolonjës, Ferrarës dhe Ravenës, ndërsa alarmi portokalli është në fuqi për Rimini dhe Forlì-Cesena.
Në San Lazzaro, në provincën e Bolonjës, janë kryer evakuime parandaluese për banorët që jetojnë në zonat më të ulëta, veçanërisht në fshatin Farneto, pranë përroit Zena, një zonë e goditur edhe më parë nga përmbytjet. Ndërkohë, në komunën e Fontanelice, një rrëshqitje dheu ka bllokuar rrugën kryesore që lidh qytetin me zonat përreth.

Mbrojtja Civile ka ngritur alarmin edhe në Modena, Reggio Emilia dhe Parma, për shkak të rrezikut të shtuar nga rrëshqitjet e dheut. Lumenjtë Senio, Lamone dhe Montone, që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha vitet e fundit në zonën e Ravenës, janë sërish nën monitorim të vazhdueshëm.

Evakuime janë raportuar edhe në Castel Bolognese, Cotignola dhe Bagnacavallo. Autoritetet kanë hapur qendra strehimi dhe kanë urdhëruar largimin e banorëve brenda 300 metrave nga përrenjtë, ndërsa të tjerëve u është kërkuar të zhvendosen në katet e sipërme. Megjithëse disa lumenj kanë kaluar pragun maksimal të alarmit, për momentin nuk ka përmbytje të mëdha, por situata mbetet kritike dhe kulmi i rrezikut pritet gjatë mbrëmjes. (A2 Televizion)